Kryesia Qendrore e Lëvizjes Besa me kryetar Bilall Kasamin sot mbajti mbledhjen e saj të parë, njofton kjo parti.

“Në këtë mbledhje për nënkryetarë të partisë janë zgjedhur Fadil Zendeli, Kastriot Rexhepi dhe Abdush Demiri ndërsa për sekretar gjeneral u emërua Arjanit Hoxha. Po ashtu u vendos që në një nga mbledhjet e ardhshme të zgjidhet edhe nënkryetari katërt, post i cili do i takojë përfaqësueses të Forumit të Gruas.” njofton Lëvizja BESA.

Në mbledhjen e njëjtë u bë edhe zgjedhja e udhëheqësve të sekretariateve që funksionojnë në kuadër të Kryesisë Qendrore dhe atë si vijon:

Enver Salihi – udhëheqës i Sekretariatit të Departamenteve
Binas Pajaziti – udhëheqës i Sekretariatit të Politikave Strategjike
Arafat Shabani – udhëheqës i Sekretariatit të burimeve njerëzore dhe lobimit
Sedat Sulejmani – udhëheqës i Sekretariatit Organizativ
Arta Sadiku – Akteshi – zëdhënëse.
Ndryshe, javën që shkoi Bilall Kasami në konferencë për media tha se Gjykata Themelore Shkupi 1 ka vendosur në dobi të tyre, por kjo u mohua nga Zejd Rexhepi i fraksionit të Besës me kryetar Afrim Gashin, i cili tha se procesi gjyqësor ende nuk ka mbaruar pasi që pritet vendimi i Gjykatës Administrative për falsifikimin e dokumenteve.