Qytetarët ia dolën – e rrënuan në menyrë paqësore diktatorin Nikolla Gruevski!

Ermira Mehmeti

Një lidër me shumë komplekse, i cili vuri gjithë makinerinë shtetërore dhe institucionale në shërbim të shërimit të komplekseve personale, një kuazi reformator i cili ligjet i ndryshonte jo sipas nevojave të qytetarëve por sipas interesave të oligarkeve dhe biznesmenëve të korruptuar që kishte për rreth, një politikan i prirë për të udhëhequr nga urrejtja ndaj tjetrit, jo nga toleranca ndaj tij, sonte po përmbyll një dhjetëvjecar të sundimit me shtetin dhe fatet e njerëzve.
Pikërisht populli, në emër të të cilit vazhdimisht thirrej, ia ktheu shpinën dhe e la te vetmuar në kenetën që vet e ndërtoi gjatë këtyre viteve. E la të rrethuar me përmendoret, me fasadat fallco e me herojtë e imagjinuar. Sepse populli e lexoi mashtrimin, e kuptoi hilen, e zbuloi gënjeshtrën. Prandaj, atij ia la botën imagjinare, dhe vet zgjodhi botën reale.
Sonte diktatori i kompleksuar do të bëjë bilancin me vetveten dhe do të përpiqet të kuptoje ku ka gabuar. Në mendjen e tij gjithcka ka bërë mirë. Por, sic ndodh rëndom me diktatorët, demokracia i flak jashtë ata si trupa të huaj, si sëmundje, si e keqe.
Populli e nisi revolucionin anti-Gruevski me 2015, e përforcoi me 2016, dhe e vulosi atë me 2017. Beteja nuk ishte e lehtë. Por asnjëherë një betejë kundër një diktatori nuk mund të jetë e lehtë!
Sonte Gruevski do ketë nevojë për më shumë ajër, por me të drejtë nuk do ngopet me të, sepse ajrin po e thithin qytetarët, të rinjtë e të rejat që e luftuan deri në rrënim regjimin e tij jodemokratik. Që sot e tutje, lirshëm do të marrin frymë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pa asnjë dallim!