Shkruan: Medai Shaholli

Fushata e ‘grupit të zjarrit’ vazhdon të ndez vatra të reja zjarri gjithandej ku ka militantë integristë të pakënaqur me qeveritarët shqiptarë në krye të ekzekutivit.

Përballja në distancë në foltoret e pakënaqësisë mes integristëve të linjës pro Artanit dhe grupit të zjarrit, janë etiketimet dhe përdhosja e personalitetit të njëri-tjetrit si teneqe të ndryshkura dhe rrangalla pa vlerë, por nga ana tjetër kemi mbivlerësimet për veten e tyre si vlera të partisë 24 karatësh!

Por, shkaku i vërtetë i sherrnajës brenda integristëve është xhelozia, smira, egoizmi dhe babëzitja për pushtet.
Egoja e sëmurë e ‘grupit të zjarrit’ për t’u krekosur ata si gjela deti në bordellon qeveritare dhe jo Artan pehlivani me grupin e dështakëve integristë, ka nxitur tërbimin e këtij grupi duke ndezur zjarrin e pakënaqësisë mes militantëve integristë që nuk duan ta shohin bashkëpartiakun e tyre Artan në krye të ekzekutivit, por duan të zëvendësohen me të tjera teneqe dhe rrangalla integriste tashmë të provuara në të kaluarën si dështakë në pushtet.

Thelbi i gjithë kësaj pakënaqësie me ‘papërgjegjshmërinë’ e Artanit në krye të ekzekutivit është posti dhe protagonizmi që grupi i zjarrit i ka humbur vite më parë.
Shkurt e shqip do të thotë ik ti të vij unë.

Nga ana tjetër, Ali Ahmeti nuk lëshon pe para shantazhit të ‘grupit të zjarrit’ për ta zëvendësuar pehlivan Artanin me një teneqe të ndryshkur, pasi nuk është i bindur se kjo dhënie përgjegjësie brenda integristëve nuk bëhet për t’i shërbyer qytetarëve por për interesa të ngushta meskine.

Fundja, beteja po bëhet për kokën e Artanit dhe të tjerëve në krye të qeverisë për t’i zëvendësuar me koka të tjera integristësh që do t’i servilosen pushtetit gjithsesi në çdo aspekt të veprimit politik si ‘shfalerka’ të përjetëshme të ‘drzhavës’ dhe jo për interesin e përgjithshëm të shqiptarëve.