Biblioteka “Vëllezërit Milladinov” është e vetmja bibliotekë në Shkup dhe rrethinë ku mund të furnizohesh me libra shqip.

Ajo është e vendosur në ambientet e Komunës së Çairit, ndërsa ka edhe dy degë të saja, bibliotekën në Hasanbeg në shkollën fillore “25 Maji” dhe në Butel në shkollën fillore “Gjorgji Abaxhiev”, nga të cilat furnizohen nxënësit me libra. Drejtoresha Adile Palloshi-Ajeti, për gazetën KOHA thotë se kjo bibliotekë është e vetmja që ka libra shqip në tërë Shkupin dhe mundohet t’i kënaq nevojat e nxënësve shqiptarë në Shkup.

“Biblioteka jonë mundohet që t’i furnizojë lexuesit shqiptar me libra shqip, por edhe në gjuhën maqedone, serbe dhe turke. Nxënësit shqiptarë përveç se në këtë bibliotekë nuk mund të furnizohen në asnjë bibliotekë tjetër të qytetit, sepse shkollat i kanë bibliotekat e veta, por sa kanë mundësi dhe sa kanë kapacitet që ti kenë të pasura bibliotekat e shkollave, këtë nuk e di. Në bazë të informatave dhe në bazë të interesimit të nxënësve që vijnë në bibliotekën tonë, vërtetohet se ato nuk kanë edhe aq mundësi që t’i kënaqin lexuesit shqiptarë me libra, kështu që ata janë të detyruar prej shkolle të vijnë në bibliotekën e qytetit të regjistrohen dhe të marrin libra kur të dëshirojnë”, thekson ajo.

Regjistrimi i nxënësve në këtë bibliotekë është 150 denarë për një vit kalendarik, kurse afati i mbajtjes së librit është 15 ditë, që nënkupton edhe 15 denarë pagesë për amortizim të librit.

“Regjistrimi i fëmijëve është 150 denarë, kurse për të rriturit është 300 denarë. Gjithashtu kemi regjistrimin e pensionistëve që kushton 250 denarë, sepse ka mjaftë të interesuar dhe nga pensionistët”, thotë Palloshi-Ajeti.

Në këtë bibliotekë fëmijët që vijnë nga familje që janë raste sociale regjistrohen pa pagesë. Biblioteka “Vëllezërit Milladinov” furnizohet rregullisht me libra, mirëpo ato janë të pamjaftueshme për t’i kënaqur kërkesat.

“Ne libra blejmë rregullisht, por për momentin nuk kemi mjaftë. Një ndër arsyet e mungesës më të madhe është se lexuesit tanë ndodhë që nuk i kthejnë me kohë librat, apo edhe fare nuk i kthejnë. Kështu që moskthimi i librave nga ana e lexuesve vetëm se po e varfëron bibliotekën”, thotë drejtoresha Palloshi-Ajeti.

Ne bëjmë kërkesa për blerjen e librave nëpërmjet drejtorisë, dhe kryesisht furnizohemi nga tre shtëpi botuese, “Vatra”, “Albas” dhe “Çabej”, informon drejtoresha Palloshi-Ajeti, ndërsa pranon se shumë tituj u mungojnë.

“Për momentin ka tituj që mungojnë, domethënë që s’i kemi fare. I kemi patur, mirëpo problem është se nuk i kthejnë dhe kështu na humbet libri”, thotë ajo, duke falënderuar Komunën e Çairit për ndihmën e ofruar si rreth vendosjes në këtë objekt, ashtu edhe në furnizimin me libra.

“Komuna e Çairit aq shumë ka bërë për këtë bibliotekë sa nuk kamë fjalë ta përshkruaj, nuk kam as fjalë ta falënderoj, ta vlerësojë për kontributin që ka dhënë sidomos kryetari Izet Mexhiti. Ai para 10 viteve prej një zgafelle na ka marrë dhe na ka vendosur këtu në Komunë, pa na kërkuar asgjë, vetëm dukë na ndihmuar më shumë”, thotë Ajeti.

Për në fund, ajo ka një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, duke i lutur që sa më shumë t’i orientojnë fëmijët drejtë librit, duke rikujtuar se ka filluar të bie numri i lexuesve për shkak edhe të varësisë të nxënësve nga interneti.

“I bëj apel gjithë arsimtarëve të gjuhëve, arsimtarët që punojnë me klasa të ulëta, t’ju formojnë shprehi leximi nxënësve. Fjala e arsimtarit është ligj për nxënësin. U them gjithëve që të vijnë në bibliotekë të lexojnë libra, sepse aspak nuk është e njëjtë të lexosh në internet dhe sikur e lexon një libër. Është kënaqësi të vish në bibliotekë, të jesh anëtar i bibliotekës. Shpresojë që të vetëdijesohemi”, shprehet përgjegjësja e bibliotekës “Vëllezërit Milladinov”, Adile Palloshi-Ajeti.