Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka prezantuar të martën ekipin e tij për siguri kombëtare, i cili ka konsideruar se do të rikthejë udhëheqësinë amerikane në botë, pas largimit të presidentit aktual, Donald Trump.

“Është një ekip që do të mbajë të sigurt shtetin dhe njerëzit tanë”, ka thënë Biden, teksa ka prezantuar emrat kryesorë për pozitat si: Sekretar Shteti, Këshilltar për Siguri Kombëtare, Shefe të Inteligjencës dhe emërime tjera kyçe në kabinetin e tij.

“Ky është ekip që reflekton faktin se Amerika është kthyer sërish. Gati për të udhëhequr botën, jo duke u tërhequr nga ajo”, ka thënë Biden, transmeton AFP.

Biden ka thënë se i zgjedhuri i tij për pozitën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, do të rindërtojë moralin dhe besimin në Departamentin amerikan të Shtetit, që është përgjegjës për marrëdhëniet diplomatike të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i zgjedhur ka thënë se ekipi i tij mishëron besimin se “Amerika është më e fuqishmja kur punon me aleatët e saj”.

Biden ka thënë se ka pasur shumë biseda telefonike me liderët botërorë “që i kanë treguar se si mezi janë duke pritur që SHBA-ja t’i kthehet rolit të saj historik si lidere globale mbi Paqësor dhe Atlantik, në gjithë botën”.

Përveç Blinkenit, ekipi i Bidenit përbëhet nga Jake Sullivan si Këshilltar për Siguri Kombëtare, Linda Thomas-Greenfield si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, John Kerry si i dërguar për çështje klimatike.

Nëse konfirmohen nga Senati, Avril Haines do të kthehet në gruan e parë që do të marrë pozitën e Drejtores së Inteligjencës Kombëtare dhe Alejandro Mayorkas do të jetë shefi i parë latin i sigurisë kombëtare.

Tranzicioni i pushtetit presidencial

Prezantimi i ekipit të Bidenit ka ardhur teksa presidenti aktual amerikan, Donald Trump është pajtuar që të fillojë procesi i tranzicionit të pushtetit.

Administrata për Shërbime të Përgjithshme, agjenci federale që mbikëqyr dorëzimin e detyrës, ka thënë se pranon që Biden “është fitues” i zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Ky vendim u garanton demokratëve qasje në miliona dollarë fonde, si dhe qasje në informacionet për siguri dhe zyrtarët qeveritarë, ashtu që administrata e re të nisë punën më 20 janar.