Presidenti amerikan Joe Biden shkoi në kufirin SHBA-Meksikë për të parë nga afër situatën e emigrantëve të cilët kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë u prit nga presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador, ku të dy së bashku do të marrin pjesë në një samit të Amerikës së Veriut në Mexico City së bashku me kryeministrin kanadez Justin Trudeau.

Vizita e Presidentit Joe Biden në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës vjen mes presionit nga ligjvënësit republikanë lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar kriza e migrantëve, e cila po thellohet edhe më tej. Si fillim Biden vizitoi El Paso nga ku u shpreh se çështja e emigrantëve është më e ndërlikuar se kurrë.

“E di që është një çështje e nxehtë dhe nuk dua të pretendoj se kjo është një gjë e lehtë për t’u trajtuar. “Mos hajdeni në kufi. Qëndroni atje ku jeni dhe aplikoni ligjërisht prej andej”, ishte thirrja e Presidentit Biden drejtuar migrantëve.

Biden javën e kaluar bëri të ditur se deri në 30 mijë persona në muaj, nga vendet e Amerikës Qëndrore do të lejohen të aplikojnë për azil. Ata duhet të përmbushin kritere të rrepta si dhe të kenë një person, që do t’i ndihmojë për t’u bërë banorë të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Biden u bëri thirrje republikanëve që të miratojnë më shumë fonde për të trajtuar krizën. “Ata janë përpara dy mundësish, ose të vazhdojnë ta përdorin imigracionin për të fituar mbështetje politike ose për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit”, tha Biden.

Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, i dorëzoi atij një letër që përshkruante pesë hapa për të adresuar krizën kufitare duke përfshirë arrestimin e miliona njerëzve në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Zyrtarët kufitarë amerikanë kapën një rekord 2.2 milionë emigrantë në kufirin me Meksikën në vitin 2022. Pjesa më e madhe e tyre po qëndrojnë në qendrat e ngritura provizorisht nga autoritetet por ato po tejmbushen për shkak të numrit të lartë. Për shumë analistë vizita e Biden nuk prodhoi asnjë gjë të re dhe kriza do të thellohet edhe më shumë nëse nuk merren masa për të frenuar fluksin.