Shqipëria do të mbledhë për herë të parë në një bienale emrat më të njohur të karikaturës në mbarë botën. Drejtoresha ekzekutive dhe themeluesja e çmimit Niko Nikolla, Flora Nikolla, tregon për “Shekulli”-n si i lindi kjo ide dhe çfarë pritet të ndodhë në eventin e rëndësishëm, që synon të vendosë Shqipërinë në hartën e karikaturës botërore.

Lorena Resulaj

Për herë të parë Shqipëria do të organizojë një bienale karikature, që do të mbledhë emrat më të njohur të kësaj fushe nga mbarë bota. Nga 500 vepra, juria shqiptare e përbërë nga emra të njohur si Agim Sulaj, Bujar Kapexhiu, Vera Bekteshi, Rezear Xhaxhiu, Gjet Ndoj, Diana Mile, Gentain Zeka, Agim Janina, Ilir Harxhi, Thoma Gëllçi, kanë përzgjedhur 120 karikatura që do të garojnë në finalen e madhe. Bienalja e karikaturës do të mbahet nga datat 18-20 shtator në qytetin e Pogradecit, organizuar nga “Albanian Excellence” në bashkëpunim me bashkinë e qytetit të Pogradecit.

Bienalja organizohet në kuadër të Ditëve të Humorit Niko Nikolla dhe organizatorja e këtij eventi, Flora Nikolla tregon si i lindi si ide. E bija e publicistit Niko Nikolla, që njihej edhe si pena e hollë e humorit shqiptar dhe drejtuesi i revistës “Hosteni”, zbulon për “Shekullin”-n detaje nga gjithë kjo ngjarje e rëndësishme për artin.

“Një miku im që është anëtar i jurisë, i cili është dhe njeri shumë i rëndësishëm në jetën pogradecare, Ilir Shyta, kur isha në Pogradec më thotë: ‘Albanian Excellence promovon të gjithë njerëzit, ti kur do e promovosh babain tënd?’ Dhe kjo më vendosi në sedër që duhej të bëhej një aktivitetet për Niko Nikollën. Në atë moment lashë një takim me kryetarin e Bashkisë Pogradec që u tregua shumë dashamirës dhe kështu nisi të konturohej një aktivitet për Niko Nikollën. Ne menduam të organizojmë ditët e humorit Niko Nikolla në Pogradec në kujtim të tij, që do të ndahej në dy shtylla kryesore: e para do të ishte karikatura, sepse revista Hosteni ka qenë një shkollë e padiskutueshme në krijimin e fizionomisë së karikaturës shqiptare pas viteve ’70 dhe një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur Niko Nikolla në krijimin e shkollës së karikaturistëve duke filluar nga Zef Bumçi, Dhimitër Ligori, Arben Meksi, Agim Sulaj, Ilir Pojani, etj”, tha Flora Nikolla.

Ideatorja e bienales thotë se për fazën finale janë përzgjedhur nga juria 120 karikatura nga 50 shtete të ndryshme të botës.

Erdhën 500 karikatura nga 50 shtete të botës dhe u përzgjodhën rreth 120. Anëtarët e jurisë kishte raste që përzgjodhën edhe 2 karikatura nga një autor, apo dhe 3 kur vlenin. Autorët janë të njohur dhe janë nga të gjitha kontinentet. Nga Europa janë gati të gjitha shtetet duke filluar nga Suedia, Spanja, Italia, Greqia, Qipro. Për të vazhduar me Ballkanin, që janë të gjitha shtetet e Ballkanit, sepse bienalja titullohet ‘Buzëqeshje Ballkanike’. Turqia ka shumë. Për të vazhduar me Lindjen e Largët. Kina ka sjellë shumë vepra me mbi 10 autorë. Për të kaluar pastaj në Indonezi, Brazil, Argjentinë, në Iran, Irak. Ne si organizatorë të ‘Albanian Excellence’ jemi befasuar nga interesi që ka ngjallur ky aktivitetet për t’u organizuar. Është vërtetë për t’u vlerësuar, sepse jo vetëm që është futur Shqipëria në hartën e karikaturës botërore, por njëkohësisht pjesëmarrja është shumë dinjitoze e këtyre autorëve. Kjo bienale do të zhvillohet në vazhdimësi, do të kthehet në një traditë dhe sigurisht edhe prezantimi gjithëpërfshirës i këtyre artistëve ka rëndësi të madhe në lidhje me këtë vazhdimësi.

Një vlerë e shtuar e kësaj bienaleje është pjesëmarrja e Agim Sulajt, një karikaturistë me vlerë botërore, një aset kombëtar që jeton në Itali, i cili më tepër ka çmime se sa vite jetë. Ky aset ka qenë një ambasador i jashtëzakonshëm për promovimin e Bienales së Karikaturës Niko Nikolla”, tregoi Flora për “Shekulli”-n.

Ajo tha se nata finale është menduar si një festë e madhe popullore, që do të ekspozojë jo vetëm veprat e karikaturistëve, por do të promovojë edhe vlerat e qytetit të Pogradecit.

“Rreth 120 karikaturave do t’i bashkëngjiten edhe 30 karikaturat që Agim Sulaj me dashamirësinë e tij ka sjellë. Janë kopertina të revistës Hosteni të botuar në vitet ’70-’80. Do të jenë rreth 150 karikatura që do të pushtojnë Pogradecin nga datat 18-20 shtator. Do të jetë dhe një festë e madhe popullore, ne kemi menduar me bashkinë e qytetit që gatimet dhe kostumet tradicionale të gërshetohen me karikaturistët që do të jenë prezent në këto ditë. Në natën gala shpresojmë shumë të jenë prezent fituesit dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të tyre. Kemi menduar që mbrëmja gala të prezantohet nga Zhaklina Gjolla një gazetare dinjitoze, që ka vlerën e saj edhe sepse është një vajzë pogradecare”, tha Nikolla.

E ardhmja

Flora Nikolla tregoi se Ditët e Humorit Niko Nikolla do të kthehen në një traditë së bashku me bienalen, por duke përfshirë edhe aktivitete të tjera për të angazhuar artistë të Shqipërisë në të tilla evente. Ajo tha se për vitin tjetër është menduar që të organizohet një konkurs mbarëkombëtar për letërsinë e humorit dhe satirës, që sipas saj sot është në agoni.

“Vitin tjetër do të organizohet po në kuadër të Ditëve të Humorit Niko Nikolla edhe një konkurs mbarëkombëtar për humorin dhe satirën nisur nga prodhimtaria e vakët e letërsisë humoristike e satirike. Ne duam që vitin tjetër t’i japim një shtysë kësaj letërsie kudo ku ka shqiptarë. Ne nuk mund të qeshim me batutën, duhet të qeshim me filozofinë që sjell humori, sepse humori është shumë i vështirë, duhet të kesh kulturë të jashtëzakonshme ta kuptosh, ta vlerësosh dhe aq më tepër ta shkruash. Dua të theksoj dhe vlerësimin e figurave të humorit shqiptar. Vërtetë Niko Nikolla ka vlerë të padiskutueshme në të shkruarin e humorit, por ai ka qenë një menaxhues i vlerësimit të humorit. Nuk kishte moment që revista Hosteni nuk vlerësonte figura të letërsisë humoristike të asaj kohe. Kujtoj romanin ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’, që është botuar për herë të parë me këmbënguljen e Niko Nikollës. Dhe të gjitha figurat e tjera si Nonda Bulka, Spiro Çomora, Qamil Buxheli, Mitrush Kuteli, Dritëro Agolli. Të gjithë autorët shqiptarë që kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në formimin e fizionomisë së humorit shqiptar, në këto ditë të humorit do të jenë në vëmendje, do të vlerësohen, sepse duke vlerësuar të shkuarën ne vlerësojmë dhe përcaktojmë edhe të ardhmen tonë”, tregoi Flora Nikolla për ‘Shekulli”-n.