Bilall Kasami: Falja e kriminelëve është krim

Vendimi i sotëm Presidentit të Maqedonisë për t’i falur të gjithë politikanët që janë nën hetime dhe ndaj të cilëve është ngritur procedurë hetimore nga Prokuroria Speciale, paraqet gjunjëzim të aparatit shtetëror, rrënim të shtetit të së drejtës dhe skemë të sistemeve paralele në shtet. Kjo kuti e Pandorës, që sot i mundëson secilit të bëjë ç’të dojë, përveç që i inkurajon kriminelët, krijon standarde që në të ardhmen do t’i favorizojnë kriminelët dhe abuzuesit e pushtetit. Të gjendur në këtë situatë, BESA konstaton se sot ka përfunduar shteti i së drejtës, ndërsa edhe institucioni i fundit, që duhej ta mbronte interesin shtetëror, tash është vënë në mbështetje të kriminelëve, kjo për shkak të përkatësisë së tyre partiake.

Në këtë mënyrë edhe një herë është rikonfirmuar bindja jonë se në Maqedoni shteti është partizuar deri në fund dhe se këtu më nuk vlen më asgjë, pos interesave të partive në pushtet. Pas rrënimit edhe të institucionit të Presidentit të Maqedonisë, Lëvizja BESA si opsion të vetëm e sheh mundësinë që në Maqedoni të ndërhyjë më seriozisht bashkësia ndërkombëtare, sepse këta njerëz joseriozë dhe të papërgjegjshëm nuk dëshmojnë aftësi për të mbajtur në këmbë një shtet. Ndërkaq kjo do të na shpinte në RIDEFINIMIN e Maqedonisë, me çka do të pamundësohej që cilado parti në çfarëdo situate të mos mund t’i keqpërdorë institucionet e shtetit.

Për fund duhen rikujtuar vetëm dy të vërteta: e para se ky president bën një presedan të paparë juridik, edhe pse e mban veten për profesor të së drejtës, dhe, e dyta, akoma më e hidhur për ne shqiptarët është se ky “baba i kombit” u zgjodh atëherë kur “partneri besnik” i VMRO-DPMNE-së e uli censusin e nevojshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit nga 50% në 40%, ndërsa – aq më shumë – mandati i dytë iu fal Gjorge Ivanovit pikërisht nga BDI-ja, kur ajo e kurdisi edhe datën e zgjedhjeve lokale në të njëjtën ditë me ato presidenciale. Prandaj “çfarë mbjellë, do të korrësh”!