A mund të zgjidhet konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet një shkëmbimi territoresh? Ish-përfaqësuesi i veçantë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ballkanin, Carl Bildt, ka thënë, në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, se e konsideron këtë ide si iluzion.

Sipas Bildt, është iluzion të mendohet se mund të ketë shtete monoetnike.

Shkëmbimi i një zone në veri të Kosovës, me zonën e Preshevës dhe Bujanovcit, në jugun e Serbisë, do të prekte dhjetëra mijëra njerëz, ka thënë Bildt.

I pyetur nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, seriozisht duan një shkëmbim të tillë, Bildt ka thënë se po dëgjon “gjëra kundërthënëse”.

Sa më shumë detaje të ketë, aq më i vështirë bëhet realizimi i një plani të tillë, ka thënë Bildt për FAZ.

Bildt ka vlerësuar se “sistemi politik në Kosovë është shumë i përçarë, dhe se është e vështirë të aprovohet nga Kuvendi i Kosovës një plan që përfshin shkëputjen nga Kosova të veriut të saj”.

Sipas Bildt, fakti se Uashingtoni dhe pjesërisht Bashkimi Evropian po e aprovojnë një zgjidhje të tillë, apo nuk po e kundërshtojnë atë, i inkurajon të gjithë politikanët në rajon, të cilët ëndërrojnë të krijojnë shtete monoetnike.

Por, ai ka thënë se dyshon fort se Amerika e sotme, qëndrimi i së cilës për Ballkanin (jo ndryshimeve të kufijve dhe jo shteteve monoetnike) më s’është i garantuar, do të donte të merrte përgjegjësinë për pasojat e politikave të saj.

Kjo, sipas Bildt, do t’i lihet Evropës, e cila, ka vlerësuar ai, “fatkeqësisht është joaktive në raport me këtë çështje”.

Bildt ka thënë se nuk beson që është realiste që pasojat e një shkëmbimi territorial mund të izolohen.

Sipas tij, nëse Presheva mund të bëhet pjesë e Kosovës, të njëjtën gjë mund ta kërkojë dikur edhe Tetova, në Maqedoni.