Sytë e Bill Clintonit u mbushën me lot në një restorant në New York pasi një kamerier nga Kosova u ul në gjunjë dhe falënderoi Bill-in se i kishte shpëtuar jetën, shkruan portali amerikan “TMZ”.

Ish-Presidenti amerikan dhe Zonja e Parë ishin duke darkuar natën e premte në restorantin “Sea Fire Grill”.

Derisa ata ishin duke ngrënë salmon të tymosur dhe branzino, një nga kamerierët – një refugjat kosovar – shkoi tek tryeza e tyre, ra në gjunjë dhe i tha Bill Clintonit: “Zotëri, unë dua të ju falënderoj. Nëse nuk do të ishit ju, unë sot nuk do të isha i gjallë”.

Kamerieri i tregoi Billit dhe Hillary-së një histori pikëlluese … në moshën 16-vjeçare ai u detyrua të largohet për shkak të luftës në Kosovë.

Ai i tregoi ish-presidentit se si babai i tij dhe anëtarët e tjerë të familjes u torturuan derisa jetonin nëpër kodra.

Kamerieri 32-vjeçar, i cili erdhi në SHBA në vitin 1999, i tha Clintonit se përpjekjet ushtarake amerikane të autorizuara nga ai për të përzënë forcat jugosllave nga Kosova rezultuan në paqe dhe pothuajse në mbijetesën e tij.

Presidenti Clinton u bë emocional, u përlot derisa shtrëngoi duart e kamerierit refugjat.

Pjesa më e madhe e stafit të restorantit është nga Shqipëria dhe Clinton kaloi një kohë pas darke duke u përshëndetur me kamerierë dhe të tjerët që punonin atje.