Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin, ku kanë diskutuar për çështjen e armëpushimit që hyn në fuqi në mesnatë në Siri.
 
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin, ku kanë diskutuar për çështjen e armëpushimit që hyn në fuqi në mesnatë në Siri dhe procesin në Astana, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i presidencës Ibrahim Kalın ka bërë një deklaratë me shkrim në lidhje me bisedën telefonike mes presidentëve Erdoğan dhe Putin si dhe në lidhje me procesin e armëpushimit të dakordësuar në Siri.

Kalın ka njoftuar se dy liderët në bisedën e tyre kanë diskutuar armëpushimin që do të nisë këtë natë në Siri dhe procesin në Astana.

Ai rikujtoi se Turqia pas rëndimit të situatës në Halep në fillim të muajit dhjetor me udhëzimin dhe ndjekjen personalisht nga presidenti Erdoğan nisi përpjekjet intensive diplomatike me qëllim ndalimin e konflikteve dhe hapjen e rrugës për ndihmat humanitare.

Kalın tha se në këtë kuadër opozitarët sirianë dhe përfaqësues të Federatës Ruse nën lehtësimin e Turqisë kanë zhvilluar bisedime në Ankara dhe si rezultat është arritur dakordësim mes regjimit dhe opozitës.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se dakordësimi do të vihet në zbatim këtë mesnatë Kalın ka theksuar se: “Vendi ynë këtë e sheh si një hap të rëndësishëm në konfliktin e Sirisë”.

“Bashkë me Federatën Ruse në cilësinë si garantues ofrojmë mbështetje në këtë rregullore. Armëpushimi nuk përfshin grupet terroriste të cilat janë të pranuara si të tilla në natyrën e KS-OKB-së. Rregullorja synon zgjerimin në rajonet e tjera të vendit armëpushimin e vendosur në Halep, mundësimin e qasjes së ndihmave humanitare pa ndërprerje dhe rigjallërimin e procesit politik. Gjithashtu do të vazhdojnë punimet dhe iniciativat e presidentit tonë për suksesin e procesit Astana”, tha Kalın.

Putin: Turqia dhe Rusia do të jenë vendet garantuese

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka bërë të ditur se nën e garancinë e Turqisë dhe Rusisë, në Siri është arritur marrëveshja për armëpushim.

Edhe ushtria e Asadit shpall armëpushim në mesnatë

Ushtria besnike e regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad ka konfirmuar se do të respektojë armëpushimin i cili hyn në fuqi sonte në mesnatë.

Forcat e regjimit, nëpërmjet një njoftimi në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë, bënë të ditur se sonte në mesnatë do të ndërpresin të gjitha aktivitetet dhe do të hyjë në fuqi armëpushimi.

“DEASH, Fronti Al Nusra dhe organizatat terroriste të lidhura me to, nuk do të përfshihen në armëpushim”, thuhet në deklaratë.