Presidenti amerikan, Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin sot të mërkurën (16 qershor) mbajnë takimin e tyre të parë që kur Bideni mori detyrën në janar të këtij viti.

Ekzistojnë pritje të ulëta për ndonjë përparim të madh në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, transmeton REL.

Të dy liderët kanë shfaqur shpresën se bisedimet e tyre në Gjenevë të Zvicrës mund të çojnë në marrëdhënie më të qëndrueshme.

Tensionet mes SHBA-së dhe Rusisë kanë qenë në rritje për shkak të një sërë çështjesh, duke filluar nga sulmet kibernetike, situata në Ukrainë dhe kontrolli i armëve.

Agjencia Reuters ka cituar një zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se takimi do të fillojë në ora 13:00 dhe të dy liderët pritet të flasin për katër ose pesë orë.

Ndërsa këshilltari i politikës së Jashtme të presidentit Putin, Yuri Ushakov, ka thënë se “nuk jam i sigurt se do të arrihet ndonjë marrëveshje”.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar për vite me rradhë, veçanërisht pas aneksimin të Krimesë në Ukrainë nga Rusia në vitin 2014, pastaj ndërhyrjen e saj në Siri dhe akuzat e SHBA-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 që sollën Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Moska i mohon akuzat.

Raportet u përshkallëzuan më shumë në mars kur Biden tha se ai mendonte se Putini ishte një “vrasës”, duke e nxitur Rusinë të thërriste ambasadorin e saj në Uashington për konsultime. Shtetet e Bashkuara tërhoqën ambasadorin e tyre në prill. Ambasadorët nuk janë kthyer më.