Në pjesën e prapme të oborrit të shkollës fillore “Liria” në Shkup, ekskavatorë dhe kamionë ngarkojnë zall, varësisht nga porositë. Kjo hapësirë e shkollës, për vite me radhë shfrytëzohet për qëllime private. Drejtori i shkollës Talat Sadiku thotë se nuk ka njohuri të sakta deri ku shtrihet oborri shkollor, edhe pse oborri është i rrethuar me gardh. Ai pohon se oborri shkollor nuk është dhënë në koncesion dhe as nuk marrin kurrfarë kompensimi nga shfrytëzimi i tij.

Drejtori shton se shkollën e ka gjetur në këtë gjendje, edhe pse ky është mandati i tij i dytë. Komuna e Çairit refuzoi të prononcohet, por Rami Qerimi nga sektori për legalizimin e tokës na tha se pushteti vendor nuk ka kompetencë për të kontrolluar se kush udhëheq me ndonjë pronë të caktuar.

“Oborri i shkollës nuk është pronë e shkollës, por është në pronësi të Republikës së Maqedonisë. Ky vend është uzurpuar para 20 viteve, para se komuna të fillojë me punë. I kemi paralajmëruar disa herë dhe tani nuk dimë se çfarë të bëjmë. Në lidhje me këtë uzurpim, ne nuk kemi kompetencë. Kompetencë kemi vetëm për rrënimin e ndërtimeve pa leje”.

TV21 deri tani ka regjistruar tre raste të këtilla, kur oborret e shkollave fillore në Komunën e Çairit shfrytëzohen për biznes privat. Për shembull, në shkollën fillore “Adem Jashari” në rrugën Serava, lahen qilima, ndërsa në njërin kënd të shkollës “Ismail Qemali” është hapur një lulishte private./TV21

https://youtu.be/-3XQtc2zCHM