Blegtoria vazhdon të mbetet një ndër profesionet më të vështira. Abedin Adili, blegtor nga Tetova, i cili me këtë biznes merret brez pas brezi për 150 vite me radhë, ankohet se çmimi i qengjave është shumë i ulët në krahasim me harxhimet.
Vitin që kaloi kilogrami i qengjit ishte paguar 130 denarë, e sipas Adilit për të kultivuar në mënyrë normale çmimi do të duhet të ishte 300 denarë.

“Me atë çmimin e vjetshëm nuk ka aspak llogari. Nga ana tjetër çmimi i shqerrave duhet të jetë pesë euro që t’i mbërrijmë shpenzimet, që nesër mos të ankohemi, qeveria, qeveria, qeveria, e po hajde qeveria do të duhet të na jap një ndihmë për çmimin e qengjave, por nuk ka interes..”- thotë Abedin Adili – blegtor.

Sipas Adilit blegtorët mundohen që të ruajnë bagëtitë, por ndihma e qeverisë është shumë e vogël që ky profesion të zhvillohet.

“Qeveria me seriozitet duhet ta merr këtë punë pozitive, se ne mundohemi që ta mbajmë këtë profesion, plus Sharrin tonë nuk e ka e gjithë bota. Aty ka ujë, burimi, aty kullosa, vendi i bukur turistik, por këta nuk e vlerësojnë.”

Ai apelon edhe deri te ministria e bujqësisë që të ketë më shumë interes për blegtorët.

“Këtu kushtet nuk janë si duhet. Kushti parë duhet të kem rrymë elektrike. Unë i bëj apel ministrisë blegtorisë, le të vijnë dhe ta shohin vendin. A duam të mbajmë ne blegtori a jo. Dhe la të shohin se ky vend është zero, se kur lindin qengjat unë duhet të kem rrymë dhe të hy ta shohë qengjin. Edhe unë duhet të jem si ato motrat medicinale atje në spital për këta. E çfarë bëjmë ne hymë me bateri”

Adili gjithashtu ankohet se çmimi i subvencione që jepet për blegtorët ka mbetur i njëjtë, ndërsa çmimet në treg janë rritur.