Blero ka qenë një prej mysafirëve të programit “Komiteti” përballë Berat Buzhalës, ku ka treguar ndër të tjera për sukseset e tij në muzikë, por edhe për jetën private dhe marrëdhënien me partneren, Afronën, të cilën sapo e ka propozuar për martesë.

Megjithatë, nuk i ka anashkaluar edhe pyetjet për këngëtarët e rinj, mes të cilave edhe për Era Istrefin. I pyetur se si i duken këngëtaret e reja që po synojnë të depërtojnë në tregun ndërkombëtar, Blero tha se një pjesë e mirë janë shumë të talentuara, por kanë pasur edhe shumë fat: “Këngëtaret e reja janë shumë të talentuara, por janë edhe me shumë fat. Nuk mjafton vetëm talenti. Është njëlloj si të fitosh lotarinë….” – tha ai, ndërsa konkretisht për Era Istrefin, pasi e vlerësoi si artiste, tha se suksesi i saj është edhe falë menaxherit të saj Faton Shoshi.

Mos të themi që Era Istrefi këndon më mirë se të gjithë, sepse nuk këndon më mirë se të gjithë. Kemi shumë më të mira se Era, por ajo ka fat. Puna e madhe e Faton Shoshit është arsyeja pse Era ka depërtuar. Era ka shumë talent, ne jemi krenarë me të, pa diskutim, por puna e madhe dhe fati e ka prurë aty ku është. Ne krenohemi të gjithë me të, por kemi edhe shumë talente që duan të kenë më shumë fat….”

Ashtu si Era, Blero tha se Kosova ka shumë këngëtare të talentura, të cilat kanë nevojë për menaxherë të mirë dhe shumë fat që të kenë suksesin e Erës.