Dialogu strategjik do ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, tha sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, i cili priti në Uashington delegacionin zyrtar të Maqedonisë, të kryesuar nga ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Diskutimet e para të Dialogut Strategjik mes dy vendeve, që kanë nisur dje, kanë pasur në fokus bashkëpunimin ekonomik, investimet, sigurinë dhe forcimin e demokracisë.

“Ne e vlerësojmë agjendën e rëndësishme të reformave që Maqedonia e Veriut po ndërmerr në demokraci, energjetikë, iniciativa ekonomike rajonale – të gjitha këto gjëra janë të rëndësishme, dhe ne i mbështesim fuqimisht. Njëlloj, ne mbështesim fuqishëm integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, dhe me të vërtetë dëshirojmë të shohim një hap përpara, kështu që do të vazhdojmë t’ju mbështesim në këtë rrugë në çdo mënyrë të mundshme”, deklaroi Antony Blinken – Sekretari Amerikan i Shtetit.

Ministri Osmani theksoi se ky dialog përbën kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Uashingtonit. Ai falënderoi për mbështetjen politike që vjen nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht kur vlerat u vunë në provë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj në aspiratën tonë për anëtarësim në BE. Për ne ishte vendimtare që ky është një objektiv strategjik edhe i juaji, por edhe sepse i dhatë mbështetje shoqërisë sonë për të përmbushur kriteret. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kemi, për t’u bërë anëtare e BE-së, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme

Në deklaratën e përbashkët të Qeverisë së Maqedonisë dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, është mirëpritur roli i vendit për stabilitetin rajonal, si dhe synimi i Maqedonisë për t’u bërë pjesë e nismës “Tre detet”. Për sa i përket mbrojtjes, Shtetet e Bashkuara presin rritje të bashkëpunimit gjatë kryesimit të Maqedonisë me Kartën e Adriatikut vitin e ardhshëm. Në deklaratë shtohet se do të intensifikohet puna për pavarësinë energjetike dhe burimet e rinovueshme të energjisë, si dhe reduktimin e barrierave tregtare, sepse Shtetet e Bashkuara e kanë njohur vendin si një treg me potencial të lartë për zhvillim.