Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, si iniciuese e interpelancës së kryeministrit të Kosovës, për të diskutuar për të pagjeturit, tha se qeveria e ka dëmtuar procesin e dialogut. Ajo ka kërkuar që Serbisë t’i bëhen të qarta përgjegjësitë ndaj Kosovës lidhur me këtë çështje dhe nëse nuk i pranon mos të vazhdojë dialogu.

Duke u thirrur në zotimet e 4 shtatorit, ajo tha se me një paragraf të zhdukurit dhe të zhvendosurit barazohen, diçka që sipas saj nuk mund të ndodhë.

“Ne, Kosova, duhet të kemi ekip të ekspertëve, të draftojmë një dokument me kërkesa specifike dhe të përcaktojmë përgjegjësitë që i ka Serbia ndaj Kosovës. Të vendoset para tavolinës, dhe nëse Serbia nuk pajtohet atëherë nuk ka dialog. Kjo çështje do të marrë vite të tëra por duhet të udhëhiqet procesi drejtë dhe mirë. Nuk është për t’u mburrur zotëri Hoti kinse je i vetmi që ke vënë këtë temë në tavolinë, sinqerisht më mirë hiç, sesa në mënyrën si je duke e trajtuar çështjen e të zhdukurve në dialog”, tha ajo.

Ajo tha se është e papranueshme mënyra se si të pagjeturit po trajtohen në dialog.

“A mund të më tregojë kryeministri se si definohen në konventat ndërkombëtare të zhdukurit me forcë, të pagjeturit, të zhvendosurit, dhe refugjatët, a e di ky këtë. A e ka ditur ndonjëri nga personat në delegacion ku është nënshkruar kjo, unë nuk e besoj, sepse po ta dinin nuk do të nënshkruanin këtë paragraf, kjo formë e trajtimit të të zhdukurve e dëmton procesin e të zhdukurve dhe kjo nuk është mënyra se si dialogohet. Kosova ka çdo avantazh për të trajtuar dinjitetshëm dhe për të këmbëngulur për çështjen e të zhdukurve karshi Serbisë. Dhe është e turpshme e papranueshme që të barazohet me Serbinë në dialog”, tha ajo.

Bogujevci ka paraqitur dy pika të rezolutës, për të cilën u kërkoi deputetëve përkrahje.

Kuvendi i Republikës së Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet kushtëzohet apo varet nga asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në adresimin e çështjes së të pagjeturave në harmoni të plotë me standard dhe mekanizma ndërkombëtar. Kuvendi i i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos pranojë të bisedojë me cilindo zyrtar nga Serbia pa ofrimi ne menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e gjithë personave që nuk janë gjetur luftës së fundit.