Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ia ka bërë të qartë Serbisë se avansimi i saj drejt Bashkimit Evropian varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe se nuk ka vend në BE për ato shtete që e mohojnë gjenocidin dhe festojnë për kriminelët e luftës.
Shefi i diplomacisë evropiane, siç raportojnë mediat, në një konferencë të përbashkët me kryeministren serbe Ana Brnabiq, pas takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së në Bruksel, theksoi se “kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon, ata që festojnë për krimet dhe kriminelët e luftës dhe i mbështesin publikisht, si dhe ata që kërcënojnë stabilitetin dhe procesin e pajtimit në rajon, duhet ta dinë se kjo nuk është në përputhje me vlerat evropiane”.