Me 99 vota pro dhe asnjë kundër, sot u themelua edhe një parti e re nga komuniteti boshnjak në Maqedoni. Lidhja demokratike boshnjake, quhet subjekti i ri politik, në krye të së cilës u zgjodh Munir Kollashinac.

Në prani të 99 delegatëve u formuan edhe organet tjera të partisë, ku nënkryetarë u zgjodh Zeqir Kuvardoviq, kurse Sekretar i përgjithsëm Dino Drplanin. Kryetari Kollashinac, në fjalimin e tij të parë tha se komuniteti boshnjak tani do ta ketë një mbështetje të fortë politike.

“Boshnjakët, sikur të gjitha etnitetet tjera, kanë të drejtë për barazi Kushtetuese para shtetit dhe ruajtjen e vlerave kulturre nëpërmjet institucioneve shtetërore. Do të luftojmë për arsim cilësorë të boshnjakëve si dhe etniteteve të tjera në gjuhën e tyre amtare. Gjithashtu, do të angazhohemi për informim në gjuhën amë. Statusi i boshnjakëve do të realizohet nëpërmjet dispozitave ligjore dhe Kushtetutës të RM-së. Boshnjakët, si popull duhet të kenë konsensus për veprim politik”përfundoi Kollashinac.

Sekretari i përgjithshëm, Dino Drplanin, i cili është edhe zëdhënësi i kësaj partie tha se LDB-ja do të veproj si parti e qendrës. Ai tha se i gëzuan edhe të mirat e votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku tani edhe gjuha boshnjake do të përdorët zyrtarisht, duke marr shembull Komunën e Petrovecit.