Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdağ, i ka cilësuar veprimet e Holandës ndaj ministrave turq si kapitullimi i vlerave të Bashkimit Europian dhe civilizimit të Europës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Bozdağ përmes llogarisë së tij në Twitter, është shprehur: “Ata të cilët kryen veprimin nazist dhe fashist në Holandë, si dhe ata që qëndruan të heshtur përballë këtij veprimi do të mbeten vetë pa folur në të ardhmen”.

Duke vënë në dukje se veprimi i qeverisë holandeze është vrasje e demokracisë, shkelje e sundimit të ligjit dhe pengimi i lëvizjes së lirë, Bozdağ në vijim të fjalës së tij ka shtuar:

“Ajo që qeveria holandeze ka bërë, është shkelje e të drejtës së tubimit, zhdukja e lirisë së shprehjes dhe groposja e të drejtave të njeriut. Veprimi i Holandës është shkelje primitive e mirësjelljes diplomatike. Është racizëm, diskriminim, islamofobi dhe armiqësi ndaj të huajit. Veprimi i Holandës është ndihmë ndaj radikalizmit dhe ringjalljes së nazizmit dhe fashizmit. Është kapitullimi i vlerave të Bashkimit Europian dhe civilizimit të Europës. BE-ja, Këshilli i Europës dhe organizatat e të drejtave të njeriut janë të heshtur përballë këtyre veprimeve naziste dhe fashiste. Kjo tregon që ata nuk janë të sinqertë në deklaratat e tyre për të drejtat e njeriut. Bëhuni të drejtë, objektivë dhe të barabartë në veprimet ndaj të tjerëve”.