Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të mëdha, deklaruan drejtuesit e mekanizmave të drejtësisë në vend, por edhe përfaqësues ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë.

Me rastin e Konferencës së VI vjetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, theksoi se pavarësisht punës së bërë gjatë vitit 2016, nuk do të thotë se është bërë sa duhet për të kthyer besimin e duhur të qytetarëve në gjykata e prokurori.

Ai tha se në radhë të parë i gjithë sistemi i drejtësisë duhet të punojë në fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Të gjithë qytetarët, por edhe prokurorët në periudhën e ardhshme duhet të tregoni më shumë gatishmëri për t’i përmbushur përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore në luftimin e dukurive negative, me të cilat po përballët shteti i Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit”, theksoi Lumezi.

Kryeprokurori u tha gjyqtarëve e prokurorëve se në ditëve në vazhdim do të përballen me vështirësi edhe më të mëdha, e njëra prej çështjeve që duhet të punohet shumë, siç tha ai, është kthimi i besimit të qytetarëve në sistemimin e drejtësisë.

Sipas tij, gjyqtarët edhe prokurorët,duhet të tregojnë vendosmëri dhe standarde më të larta profesionale.

“Faktori vendor dhe ndërkombëtar ka pohuar se Gjyqësori nuk është i pavarur dhe se duhet të lirohet nga ndikimet politike. Gjithashtu, ka pasur vërejtje edhe për mosndëshkimin e krimit dhe për dënime të ulëta në disa raste edhe në minimumin e paraparë ligjor, si në rastet e korrupsionit, terrorizmit dhe trafikimit me njerëz”, u shpreh Lumezi.

Kurse, shefi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian [OSBE] në Kosovë, Jan Braathu, theksoi se pavarësisht përparimeve të bëra, Kosova ende ka shumë punë për të bërë në sistemin e drejtësisë.

Ambasadori Braathu tha se gjatë kësaj jave ka kuptuar se funksionimi i gjykatave në veri të Kosovës, do të kompletohet në muajin e parë të vitit të ardhshëm.

Ambasadori i OSBE-së foli edhe për mënyrën se si duhet të jenë të hapura dhe transparente gjykatat në punën e tyre. Sipas tij, transparenca është rruga më e mirë për ta rritur besimin në gjykata.

“Ne e kuptojmë se nganjëherë gjykatat duhet të jenë të mbyllura varësisht nga ndjeshmëria e rasteve, për shkak të dëshmitarëve apo edhe për arsye të tjera. Sidoqoftë, ne ju inkurajojmë që seanca të mbyllura gjyqësore të ketë minimalisht dhe vetëm atëherë kur janë të nevojshme. Kjo ka të bëjë me besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, theksoi ambasadori Braathu.

Ndërkaq, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani, tha se drejtësia nuk është qëllim në vetvete, ajo jepet për qytetarët dhe duhet të perceptohet prej tyre si e tillë.

Sipas Hasanit, qytetarët duhet ta ndjejnë thellë që drejtësia është e pavarur, e paanshme, e ndershme, e barabartë për të gjithë dhe e përgjegjshme.

“Besimi i publikut te drejtësia, është një nga vlerat më të çmuara që kultivohet në një shoqëri demokratike. Fakti që sondazhet në mënyrë permanente tregojnë se perceptimi negativ i publikut për korrupsionin në drejtësi është rritur dhe besimi te drejtësia është ulur, duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe duhet t’i angazhojë seriozisht institucionet përgjegjëse për të marrë masa efektive për ndryshime të shpejta pozitive”, potencoi Hasani.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, deklaroi se institucioni që ai drejton, do t’i marrë shumë seriozisht të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën. Ai tha se për transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin në gjykata, do të punohet edhe më shumë

Një nga shqetësimet, të cilat u përmendën në këtë konferencë ishte dhe anulimi i akt-gjykimeve të shkallës së parë nga instanca më e lartë dhe kthimi i çështjes në rigjykim në Gjykatat Themelore, kryesisht për raste që kanë të bëjnë me korrupsionin.

Veprimet e tilla u tha se po e zbehin edhe më shumë kredibilitetin e gjykatave.

Ndryshe, korrupsioni në gjyqësi, mosefikasiteti, grumbullimi i lëndëve, ngadalësimi në reforma – janë vetëm disa nga kritikat më të shpeshta që i janë bërë sistemit të drejtësisë edhe gjatë vitit 2016.

Ky mekanizëm vazhdimisht ka dalë të jetë i kritikuar nga raportet e ndryshme që kanë monitoruar gjendjen në Kosovë.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë inkurajojnë organet gjegjëse të ndërtojnë një sistem të pavarur e të pandikuar të drejtësisë, i cili do të ishte më efikas.(REL)