Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, duke komentuar deklaratën e Zoran Zaevit se është e mundur që të mos japë dorëheqje nëse opozita i pengon ligjet e rëndësishme për qytetarët, tha se është herët të bisedohet për qëndrime të tilla ekstreme, për shkak se është ende në fazën e koordinimit mes partive politike.

Osmani u shpreh optimist se do të tejkalohet gjendja në Kuvend dhe se nuk do të ketë nevojë për anulim të zgjedhjeve që janë caktuar më 12 prill.

“Është herët të bisedojmë për qëndrime të tilla ekstreme për shkak se ende jemi në fazën e koordinimit mes partive politike. Koordinim të tillë po zhvillohet sot edhe me LSDM, me OBMR-PDUKM me BDI se si të tejkalohet ky bllokim në miratimin e ligjeve në Kuvend deri në fund të këtij viti. Mendoj se partitë politike duhet t’i tejkalojmë këto qëndrime partiake dhe të përfundojmë në mënyrë të suksesshme këtë agjendë të Kuvendit dhe të vazhdojmë sipas marrëveshjes që është arritur”, theksoi Osmani.

Ndryshe, kryeministri Zaev njoftoi se nuk do të japë dorëheqje nëse nuk miratohen ligjet e rëndësishme për qytetarët ndërsa opozita maqedonase tha se e gjithë kjo ndodh për shkak se Zaev dëshiron të ikë nga përgjegjësia dhe nga zgjedhjet.