Derisa është duke u përfunduar projekti kapital për vazhdimin e bulevardit në rrugën Industriale, autoritetet e Komunës së Tetovës janë duke u menduar që të vijohet me këtë bulevard edhe më tej, deri në fshatin Xhepçisht.

Sipas kryetarit të Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, aktualisht është duke u punuar në përpunimin e projektit për këtë investim kapital, por pa saktësuar se kur mund të fillohet me këtë projekt.

Momentalisht, bulevardi që është në përfundim e sipër, ka filluar të jetë funksional dhe shumë automjete tashmë e përdorin të njëjtin për dalje nga qyteti i Tetovës në drejtim të rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë dhe anasjelltas.

Kreu i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, thekson se janë ndarë edhe mjete për vazhdimin e bulevardit në drejtim të fshatit Xhepçisht.

“Bulevardi në rrugën Industriale është në përfundim e sipër. Kanë mbetur pak punë, pra rregullimi i trotuareve me pllaka të bekatonit dhe shenjat e komunikacionit. Pra, bëhet fjalë për punë të vogla dhe ky bulevard do të jetë tërësisht gati shumë shpejt Si Komunë, për të lehtësuar akoma më shumë komunikacionin, mendojmë që të vazhdojmë edhe më tej me këtë bulevard, deri në fshatin Xhepçisht. Jemi duke punuar në projektin bazë dhe janë ndarë mjete edhe për këtë qëllim”, nënvizoi Memeti.

Por, nuk ka informacione se sa do të zgjasë tërë procedura, kur dihet se ky bulevard nëse vazhdohet deri në fshatin Xhepçisht do të ketë shumë punë gjatë shpronësimit të pronave në këtë zonë. Në ndërkohë, vazhdimi i bulevardit në rrugën Industriale ishte premtuar që në vitin 2016, por u desh që të kalojnë katër vite që i njëjti të realizohet. Punët filluan në fillim të vitit të kaluar, por pandemia kishte bërë që punët të zgjasin gati se një vit.

“Bëhet fjalë për investim në vlerë prej 980 mijë euro. Gjatësia e rrugës përfshin pjesën prej 700 metrave, gjerësia nga të dy anët nga 7 metra, në mes është vendosur edhe pjesa e gjelbërimit dhe në të dy anët janë trotuaret. Këtë projekt e kishim vendosur si prioritet në Komunën e Tetovës për shkak se kjo është pjesë e masave tona kundër ndotjes së ajrit, sepse në këtë mënyrë do të zvogëlohet lëvizja e automjeteve të rënda në pjesën qendrore” kishte deklaruar kohë më parë e para e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Tashmë, në këtë zonë gjithnjë e më shumë është rritur frekuentimi jo vetëm i automjeteve të rënda, por edhe i automjeteve tjera ku vozitësit shmangin pjesën qendrore, e cila gjatë kësaj periudhe ka qenë e stërngarkuar dhe në kaos të madh për shkak të ardhjes së mërgimtarëve. Por, ende nuk ka informacione shtesë nga dikasteret përgjegjëse në Komunën e Tetovës se kur mund të ketë diçka konkrete për vazhdimin edhe më tej të këtij bulevardi deri në fshatin Xhepçisht. (koha.mk)