Buxhet dyfish më i madh në vitin 2020 për romët në Maqedoni

Për vitin 2020 nga Buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve është përcaktuar buxhet prej 40 milionë denarëve për zbatimin e projekteve në kuadër të dekadës dhe Strategjisë për romët, që është dyfish më shumë në krahasim me vitin paraprak 2019, ndërsa katër herë më shumë nga periudha para ardhjes së këtij pushteti, theksoi sot në konferencën për shtyp, ministri pa dikaster i obliguar për implementimin e Strategjisë për përmirësimin e situatës së romëve, Muzafer Bajram.

Ai potencoi se bëhet fjalë për projekte nga sfera e infrastrukturës dhe projekteve komunale të cilët janë konfirmuar si prioritete për popullatën rome në bashkëpunim me përfaqësuesit e organizatave civile dhe ndërkombëtare, qëllimi i të cilit është përmirësimi i situatës së romëve në vend.

Duke u përqendruar në aktivitetet projektuese për sivjet, ministri Bajram theksoi se janë planifikuar evaluime të strategjisë aktuale për romët në vitet 2014-2020 dhe përgatitje të strategjisë së re, më pas iniciativë për hapjen e qendrës kulturore rome, përgatitje të drejtshkrimit rom dhe botim të librave për klasën e gjashtë deri në klasën e nëntë në gjuhën rome për arsimin fillor.

Përndryshe, vitin e kaluar për mbështetje për implementimin e Dekadës dhe Strategjisë së romëve nga buxheti janë sistemuar 20 milionë denarë të cilat përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve janë ndarë në disa komuna për projekte nga sfera e infrastrukturës.

Gjithashtu në vitin 2019 me mbështetje të kabinetit të ministrit pa dikaster, Muzafer Bajram dhe në bashkëpunim me sektorin joqeveritar janë përgatitur tre plane lokale të veprimit për romët në sferat strehim, arsim, punësim dhe shëndetësi në komunën e Kërçovës, Dibrës dhe Velesit, Në përgjithësi për implementimin e planeve lokale të veprimit me vendim të Qeverisë janë ndarë tre milionë denarë përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, të cilat janë sistemuar në 16 komuna ku jeton popullatë rome.

Në sferën e arsimit, vitin e kaluar është prezantuar gramatika e re e gjuhës bashkëkohore rome, e financuar nga Qeveria, e cila tani më është e shpërndarë nëpër institucionet arsimore. Janë ndërmarrë edhe aktivitete me Rektoratin e Fakultetit pedagogjik në Shkup në drejtim të hapjes së programit studimor sipas mësimit klasor në gjuhën rome në kuadër të Fakultetit.

Në procedurë qeveritare së shpejti duhet të hyjë edhe propozim-vendimi i cili tani më është gati për formimin e trupit përkatës të ministrave, që do ta ndjekë implementimin e Strategjisë për romët në vend.

Informacionet për implementimin e aktiviteteve që dalin nga planet kombëtare të veprimit në kuadër të Strategjisë për romët dhe aktivitetet të cilat planifikohen nga institucionet kompetente i përgatit kabineti i ministrit pa dikaster i obliguar për implementimin e Strategjisë për romët, ndërsa shqyrtohet në seancën e Qeverisë në çdo katër muaj.

SHPËRNDAJE