Tentimi i grusht shtetit në Turqi bëri që shumë analistë dhe kosovarë të komentojnë në rrjetet sociale lidhur me këtë ngjarje. Ishte edhe drejtuesi i gazetës “Express”, Berat Buzhala i cili shkroi disa statuse lidhur me puçin ndaj presidentit, Rexhep Taip Erdoganit. Madje, në njërin prej tyre, duke përdorur satirë, ai ka apeluar kosovarët të dalin në përkrahje të ushtrisë turke.

“I ftoj qytetarët e Kosovës që po pushojnë në Turqi gjatë pushimit t’i bashkohen ushtrisë :P”, ishte komenti i tij që në fund shfaqej ‘smile’ me gjuhën jashtë, që tregon se nuk ishte koment serioz.

Lidhur me këtë, ka reaguar Ambasada e Turqisë në Kosovë, respektivisht diplomatja Kivilcim Kiliç. Nëpërmjet një letre, të cilës i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, është kërkuar që Berat Buzhala të dënohet me burg, duke iu referuar Kodit Penal dhe ligjeve në fuqi të Republikës.

Buzhala në një prononcim për “Indeksonline” ka folur rreth këtyre veprimeve që ambasada turke i ka marrë ndaj tij. Sipas tij, komentet e asaj nate ishin të frymës satirike dhe nuk kishte diçka serioze.

“Unë s’kam fuqi rekrutuese. Komedia më e madhe është se turistët janë ata që lahen me breg. Pra, kjo tregon fytyrën e vërtetë të një regjimi me tendencë diktatoriale i cili përmes duarve të zgjatura të tij më së shumti i pengon satira, pasi vetëm kjo dhe komedia ua tregon tendencë që e kanë ata. Nuk besoj se dikush mendon që unë mundem me rekrutu dikë për me mbështetë një informacion apo informacion tjetër”, ka thënë ai.

Këto veprimet të ambasadës janë cilësuar të gabuar nga ana e Buzhalës. “Kjo çka ka bërë ambasada është e paprecend. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një ambasadë e një shteti tjetër të kërkoj dënim me burg për këtë gjë”, thotë ai.

Sipas tij, ky veprim tregon arrogancën e Ambasadës së Turqisë e cila ka krijuar aso vetëbesimi dhe e cila i është nënshtruar Qeverisë së Kosovës për këtë vendim.

“Pra, ka guxim tash mi tregu edhe ka sa vjet me i dënu gazetarët ashtu siç po vepron qeveria e Erdoganit në Turqi. Të njëjta praktika e Turqisë po i sjellin në vendin tonë dhe po kërkojnë prej Qeverisë. Dokumenti është i vërtetë, pra ajo është një demarsh që ambasada ja ka nis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kjo është e vërtetë”, ka thënë ai.

Më tej, drejtuesi i “Expressit” thotë se ka të dhënat që ambasadorja turke ka takuar edhe ministra të tjerë të cilëve ju ka thënë se duhet të jetësohet ky urdhër i tyre.