“Rendi është që të fillohet me procesin e rivlerësimit apo vetingut, të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, kështu deklaroi kryetarja e Institutit për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca-Nikollovska në lidhje me atë se a duhet të kemi veting në Maqedoninë e Veriut.

“Po përmendet kjo temë, por vetëm po përmendet, nuk është definuar saktë që eventualisht si do të zbatohej ai veting. Gjithsesi e kemi parasysh gjithë atë që nënkupton vlerësim të gjykatësve dhe prokurorëve. Absolutisht është e nevojshme të zbatohet rivlerësim i caktuar. Ne kemi zgjidhje të reja ligjore dhe në bazë të atyre zgjidhjeve ligjore, nëse ekziston vullnet mundet të bëhet rivlerësim i caktuar dhe radha është që të fillohet. Ne kemi një shkarkim tani, megjithatë edhe atë s’mundem ta komentoj pa i parë provat”, tha Caca-Nikollovska.

“Vetingu” është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i “vetingut” mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e “vetingut”.