Ballina Lajme Rajoni CANA: KAM BESIM SE EDHE KOSOVA DO TË JETË E SUKSESSHME (VIDEO)

CANA: KAM BESIM SE EDHE KOSOVA DO TË JETË E SUKSESSHME (VIDEO)

 

Ai lë të hapur mundësinë për t’u rikthyer të luajë pasi të jetë riaftësuar plotësisht dhe komenton edhe zhvillimet e fundit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një intervistë të dhënë në emisionin “Chic” të gazetares Fjodora Fjora në “News 24”, ish-kapiteni legjendar i kuqezinjve komenton edhe aludimet mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Më poshtë e gjeni një pjesë të intervistës.

Çuditërisht duhet të flasim për dy ekipe që përfaqësojnë shqiptarinë, por ngjarjet rrodhën në këtë mënyrë dhe ne duhet ta pranojmë këtë gjë. Ju çfarë mendimi keni mbi ekzistencën e përfaqësueses së Kosovës dhe çfarë duhet të bëjnë lojtarët?

Është hera e parë që unë po flas për këtë çështje, pasi Kosova u pranua në FIFA. Unë e kam pasur gjithmonë mendimin tim lidhur me këtë temë dhe i kam lënë gjërat të jenë spontane. Kam disa parime të miat dhe njerëzit në fund e gjykojnë nëse kam të drejtë apo jo. Unë kam thënë që në fillim që Kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë një rëndësi përtej sportit. Ne tashmë jemi shembull për të rinjtë, jemi simbol i këtij kombi, pasi kemi bashkuar shumë vlera dhe arritje.

Nëse nuk do të kishim kaq shumë rëndësi të madhe, kjo gjë do të ishte pak më e zbehtë. Nëse Kombëtarja do të kishte rezultate më të dobëta si vitet e para, sigurisht që ky diskutim i madh nuk do të ishte bërë. Është shumë bukur kur sheh shumë njerëz bashkë që festojnë, trishtohen, zhgënjehen, por edhe shahen bashkë. Nuk ishte e arsyeshme që të ndahet Kombëtarja shqiptare.

Pra, jeni për një kombëtare?

Unë e kam mbështetur shumë sportin në Kosovë dhe kam dhënë kontribut të veçantë, edhe për pavarësinë e sportit në Kosovë. Sporti aty nuk ka pasur asnjë zhvillim dhe asnjë mundësi për të realizuar një ëndërr. Njohja e sportit ka qenë gjëja më e bukur. Por unë në këto vite kam qenë i parimit që elita e futbollit në aspektin kombëtar të qëndrojë te Shqipëria.

Kam qenë i mendimit që te Kosova të ketë një nivel më të ulët përfaqësimi në nivelin kombëtar, por nuk vendos unë, kanë vendosur prijësit e futbollit më ndryshe. A është e drejtë apo jo, kjo mua nuk më takon ta them. Por tash që është në këtë mënyrë i dëshiroj sa më shumë sukses si kombëtares shqiptare, ashtu edhe Përfaqësueses së Kosovës. Bile i kam thënë edhe babit tim edhe Fadil Vokrrit që do t’i mbështes dhe do të shkoj t’i shoh ndeshjet. Sigurisht se do ta mbështesë sepse është një shtet shqiptar dhe tani që i kanë hyrë kësaj rruge duhet të kenë sukses dhe unë besoj se edhe Kosova të jetë e suksesshme sepse ka shumë talente.

Intervista e plotë: