Ky është çarku integrist për të kapur karrigen e kryeministrit nga një shqiptar i ”ndershëm” apo hibrid, luajal dhe dhëndër i urtë apo kollovar i kampit tjetër, ashtu siç paraqitet në diçiturën e mëposhtëme, paraqet demagogji të kulluar propagandistike për masat e thjeshta.

Në kushte të një sistemi të vendosjes së demokracisë së qëndrueshme pa urrejtje nacionale, larg qëndrimit dhe mentalitetit shoven ndaj shqiptarëve dhe heqjes dorë nga mania e supremacisë ndaj një populli tjetër, do ishte e mundshme zgjedhja e një kandidati shqiptar si kryeministër i vëndit siç është NMK.

Në këto kushte, të një shteti eksperimental pa demokraci, pa shtet ligjor dhe me institucione të kapura tërësisht nga kampi tjetër të paktën nga shpallja e pluralizmit politik, një propozim i tillë është tallje me shqiptarët.

Ndaj, çarku për të kapur karrigen e kryeministrit nga një shqiptar është pjesë e lojës propagandistike të Ali Ahmetit dhe integristëve të tij gjatë kësaj fushate zgjedhore për të mbledhur votat e të pakënaqurëve dhe të zhgënjyerve shqiptarë përmes karremit me ”kryeministrin shqiptar”.

Shqiptarët nuk kanë nevoj për një kryeministër marionet por kanë nevoj për një ridefinim të statusit politik përmes ndryshimit në kushtetutë, rast që partitë politike shqiptare e huqën në fillim të vitit të kaluar me ndryshimet kushtetuese.
Kësisoj, partiçkat tona u shitën dhe u blenë te Zajko ku në emër të integrimeve europiane shitën interesat kombëtare duke mos kërkuar asnjë ndryshim në kushtetutë por, u pajtuan me atë definim që sanksionon shqiptarët dhe gjuhën shqipe si bashkësi etnike e shifrave si popull nomad pa identitet.

Sot, të shesësh patriotizëm me kryeministër shqiptar nuk ja vlen pasi jo vetëm që nuk është i realizueshëm por është demagogji e pastër për të ngritur rejtingun e humbur dhe për të mbajtur pozicionet e lëkundura.
Nga ana tjetër edhe partiçkat e tjera politike shqiptare nuk kanë çfarë t’i ofrojnë shqiptarëve pasi edhe ato janë përgjegjëse për statusin politik të shqiptarëve kur votuan të gjithë së bashku kundër barazisë dhe gjuhës shqipe në ndryshimet e fundit kushtetuese.

Shqiptarëve të Iliridës u duhet një politikë tjetër nga çfarë jemi mësuar deri më sot.
U duhet një ”Albin Kurti”, që të thotë se: ”partiçkat tona kanë tradhëtuar interesat kombëtare të paktën që nga konflikti i stisur i 2001 e deri më sot dhe se ne do ”luftojmë” pa u rreshtur për barazi të plotë në këtë vënd, ku pa barazinë e shqiptarëve me sllavo-maqedonët nuk do mund të funksionojë më kjo ”dërzhavë” mbi kurrizin e shqiptarëve të nëpërkëmbur si popull i shtypur dhe pa dinjitet”!
Shkruan Medai Shaholli