Zëvendëskryeministrja për çështje ekonomike, Mila Carovska, sot apeloi deri tek hotelierët dhe deri tek qytetarët që ta respektojnë protokollin me të cilin lejohet pranimi i mysafirëve në kafenetë dhe restorantet në kushte të koronavirusit.

Carovska deklaroi se inspektorët janë në terren dhe gjithandej ku do të konfirmojnë parregullsi, të njëjtët do të sanksionohen.

“Do të dëshiroja të apeloj deri tek të gjithë hotelierët që t’i respektojnë protokollet për shkak të vetes fillimisht, por edhe për shkak të shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit të familjeve të tyre dhe fëmijëve të tyre. Me rëndësi është që me çdo procedurë tonën sot, ndërsa edhe në periudhën në vijim, duhet të tregojmë ndërgjegjësim dhe orientim ndaj jetesës së re. Pikërisht ato protokolle janë mënyra në të cilën do të duhet të veprojmë dhe të sillemi në periudhën në vijim gjithçka me qëllim nga njëra anë ekonomia të mbahet në vazhdimësi por edhe nga ana tjetër ta mbrojmë jetën e qytetarëve. Inspektorët janë në terren, gjatë ditës së djeshme ata theksuan, kanë vepruar në mënyrë edukative tek hotelierët. Natyrisht se ata që nuk do t’i respektojnë në pajtim me ligjin, inspektorët do të veprojnë me masa më rigoroze”, deklaroi Carovska.

Carovska, gjatë vizitës në Vallandovë, tha se është me rëndësi që ky apel për respektimin e protokollit të arrijë edhe deri tek qytetarët, sepse secili prej nesh është përgjegjës edhe për shëndetin e vet, por edhe për shëndetin e familjes së vet për shëndetin e bashkësive tona.

“Nëse i respektojmë masat dhe protokollet do të kontribuojmë ndaj asaj që ky tregim i suksesshëm që e kemi si shtet në përballjen me koronavirusin të vazhdojë edhe më tej dhe me këtë të tregojmë se jemi të pjekur të mbajmë përgjegjësi për të gjitha sfidat”, ka thënë Carovska.