Publicisti Kim Mehmeti ka komentuar situatën e porsakrijuar politike në vend, ku sipas tij Maqedonia vazhdon ta drejtohet njësoj si edhe deri dje:me burrështetas maqedonas dhe vasalë të korruptuar shqiptarë. Mehmeti është i ashpër edhe ndaj opozitarëve të deridjeshëm të rreshtuar rreth ‘Aleancës për shqiptarët”, e që sot janë pjesë e qeverisë së LSDM’së, duke thënë se opozitarizmi i tyre nis e përfundon te kolltukët ministrorë! Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë që Kim Mehmeti e ka publikuar në faqen e tij të FB..

“Ju kujtohet: deri dje, sa herë që e kritikonim regjimin DPMN-BDI, drejtuesit e BDI’së na quanin ‘këlysh’ të partisë opozitare maqedonase – LSDM’së! Ju kujtohet: opozitarët e deridjeshëm të ‘haleancave’ të ndryshme, na quanin ‘racë të poshtër’ neve që publikisht thoshim se nuk duam të bashkëpunojmë me sojin e politikanëve që nuk shohin më larg se sa te grazhdi i shtetit! E sot, kur themi se edhe për LSDM’në maqedonase, më të përdorshëm janë vasalët e komprometuar shqiptarë, po ata drejtues të BDI’së dhe, të njëjtit ‘opozitarë’ që donin ta na bashkonin rreth kolltukëve të tyre ministrore, na thonë se jemi bashkëpunëtorë të DPMNE’së?! Andaj kurrë mos harroni: gjithmonë do ketë ndonjë parti maqedonase, që do i mbrojë kriminelët e BDI’së nga ne dhe që do u ofrojë ‘opozitarëve’ tanë atë që ata i josh – grazhdin e pushtetit! Pra kurrë nuk do mungojnë parti maqedonase, që do i bëjnë burrështetas të gjithë shqiptarët që kanë çmim, por nuk kanë moral, ngaqë sunduesit maqedonas prej moti e kanë kuptuar se, më lirë të del të paguash shtrenjtë qindra shqiptarë karrieristë të sëmurë, se sa tërë popullit shqiptarë t’ia japësh hisen që i takon! Dhe në ndërkohë, mos u lodhni me pyetjen si u bë që BDI’ja dhe ‘Aleanca për shqiptarët’ ta kenë harruar marrëveshjen mes partive shqiptare, ngaqë kjo pyetje ka të bëjë me burrështetas që nuk paguhen për ta drejtuar shtetin, por pët të na luftuar neve që themi: mjerë shqiptaria që e përfaqësojnë ata që nuk i brenë ndërgjegjja edhe pse u ndodhi ‘Sopoti’, ‘Brodeci’, ‘Monstra’, rasti i Kumanovës, likuidimi i Harun Aliut me shokët, projekti ‘Shkupi 2014’…! Zonja e zotërinj, mos I kritikoni, por shprehni keqardhje ndaj politikanëve që nuk e kuptuan se jo çdokush mund të jetë ‘racë e poshtër’ që u bënë opozitë të gjithë pushteteve, pra ndaj politikanëve që e dinë se jo të gjithë jemi ‘derra’ partiak, që majmemi nga djersa e popullit dhe që freskohen duke u përpëlitur në lloçin e pistë të lojërave politike!”, shkruan Kim Mehmeti.