Dy persona të moshës prej 23 dhe 24 vjet nga Shkupi janë arrestuar për shkak të involvimit në përgatitjen e kryerjes së veprës penale “terrorizëm” dhe për përfshirje me personat e kthyer nga SHI-ja, informon sot drejtori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov.

“Ministria e Punëve të Brendshme si pjesë e aksionit më të gjerë operativ rajonal në luftën kundër terrorizmit më datën 4 të këtij muaji sipas urdhrave paraprakisht të dhëna janë kryer dy bastisje nga të cilat njëra në Shkup, ndërsa tjetra në f. Haraçinë. Gjatë kryerjes së bastisjeve është gjetur personi 24 vjeçar nga fshati Haraçinë, ndërsa personi i dytë është arrestuar në Kosovë”, tha Çavkov në konferencë për shtyp në MPB.

Theksoi se kundër personit është parashtruar kallëzim penal për shkak të ekzistimit të bazës së dyshimit për kryerje të veprës penale “terrorizëm” sipas nenit 394-b nga Kodi penal i Republikës së Maqedonisë me ç’rast nga ana e gjykatësit për procedurën paraprake është shqiptuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Çavkov duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se bëhet fjalë për persona për të cilët kanë ekzistuar informacione zbuluese prej më parë se janë pjesëtarë të radikalizmit islamik, si dhe se kanë lidhje me personat e kthyer nga SHI-ja, gjegjësisht luftëtarë të huaj.