Largimi i drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov dhe kërkesa e tij për shfrytëzimin e pushimit vjetorë, pengon emërimin e mundshëm të drejtorit të ri në këtë byro.
Ekspertët konsiderojnë se derisa Çavkov të jetë në pushim vjetorë, Qeveria e re nuk do të mund të emëroj drejtor tjetër, sepse nuk ka kush pranon vendimin për shkarkim. Ish eprori i policisë Ljubomir Gjurçeski vlerëson se përderisa ka pasur një kërkesë për shkarkimin e Çavkovit, atij nuk është dashur t’i mundësohet pushimi vjetor.

“Ikja e Çavkovit në pushim vjetorë do të pengojë Qeverinë e re për të emëruar drejtor të ri në BSP. Opinioni e din se është dërguar kërkesë në Qeveri për shkarkimin e tij, pra sidoqoftë shkarkimi i tij do të ndodhte sepse Qeveria e re do ta zbatonte kërkesën e ministrit. Por tani derisa Çavkov është në pushim vjetor nuk mund t’i dorëzohet vendimi për shkarkimin e tij dhe përderisa ai nuk shkarkohet nuk mund të emërohet drejtor i ri.” – deklaroi Ljubomir Gjurçeski, ish epror i policisë.

Megjithatë, nëse ndaj Çavkovit procedohet padi penale për mos veprimin e tij në bazë të ligjit për polici gjatë dhunës në Kuvend, kjo nuk do të ishte pengesë për Qeverinë e re për të zgjedhur drejtor të ri në BSP.

“Derisa Prokuroria ndaj Çavkov inicion procedurë penale në lidhje me veprat e tij penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare qoftë me zhvillimet e fundit apo ngjarjet tjera, kjo nuk do ta mbronte Çavkovin dhe as nuk do ta pengonte Qeverinë për të emëruar drejtor të ri. Vepra penale nuk ka lidhje as me ikjen në pushim vjetor dhe as me pensionimin.” – thotë për Alsat-M, Gjurçeski.

Çavkov është distancuar nga të gjitha akuzat ndaj tij në lidhje me mos qasjen profesionale në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. Për mediat ka kumtuar se nuk ka pasur informacion se grupe të dhunshme do të sulmojnë Kuvendin, në ditën kur u zgjodh kryeparlametari. Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu deklaroi se natën e 27 prillit për 2 orë e më tepër nuk ka mundur të bie në kontakt me të. Siç mësoi Alsat nga burime të sigurta Çavkovi ka kërkuar t’i ndërpritet edhe kontrata e tij e punës dhe ka mbledhur të gjitha gjërat personale nga zyra e tij. Ndaj tij akoma nuk është iniciuar procedurë penale për përgjegjësi në lidhje me zhvillimet në Kuvend.