Kumanova vuan mungesën e paraleleve në shqip nëpër çerdhet e qytetit. Këtë për Alsat e ka pranuar edhe vetë drejtoresha e kopshtit “Angel Shajçe”, sipas së cilës në vitin 2004 është hapur paralelja e fundit në shqip dhe që prej atëherë nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

“Grupi i parë në gjuhën shqipe në çerdhen tonë për fëmijë është hapur në vitin 1998, kurse në vitin 2004 kemi edhe grupin e dytë në gjuhën shqipe, që do të thotë se kemi dy grupe të pastra në gjuhën shqipe pastaj kemi një grup bilingual maqedonisht-shqip”, deklaroi Marina Aleksovska, drejtoreshë e çerdhes për fëmijë “Angel Shajçe.

Përveç numrit të pamjaftueshëm të paraleleve në shqip në këtë çerdhe edhe numri i të punësuarve shqiptarë është shumë i ulët.

“Numri i përgjithshëm i të punësuarve është 161 të cilët janë të shpërndarë në 49 grupe këtu janë personeli teknik, administrata, kuzhina, nga të cilët vetëm 12 shqiptarë”, shtoi Aleksovska.

Nga ana tjetër banorët e Kumanovës shprehentë revoltuar me mungesën e paraleleve shqip në çerdhet e qytetit. 

“Normal se duhet të hapen edhe më shumë paralele sepse kemi nevojë, ka popullatë shqiptare, besoj se dy janë shumë pak kemi nevojë për 5 apo 6 paralele sepse patjetër duhet plotësuar kushtet e popullatës shqiptare që jetojnë në qytetin e Kumanovës”.

“Meqë neve si qytetarë shqiptar të Kumanovës dy paralele për një fshat janë pak, në qytet së paku duhet të janë 5 paralele ndoshta edhe më tepër. E ndjejmë veten të diskriminuar nga fqinjët tanë maqedonas të cilët neve na kanë lënë me këtë gjendje të fëmijëve tanë. Edhe ne kemi dëshirë që fëmijët tanë të luajnë me lodra të kenë kushte si të tjerët”.

Në çerdhen “Angel Shajçe” janë të regjistruar mbi 1.700 fëmijë, ndërsa 400 të tjerë presin tanimë një kohë të gjatë për tu regjistruar./Alsat-M