Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se do të hapen kopshtet dhe çerdhet nga data 1 qershor.

Ndërkohë, komiteti i ekspertëve, shprehet se virusi nuk është zhdukur dhe duhet shumë kujdes nga çdo qytetar.

“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar. Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 Qershor, protokolli I të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.

Sipas saj, faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve, për të kufizuar përhapjen e COVID19.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi vëmendje maksimale nga strukturat e shëndetësisë në këtë situatë të fazës së dytë të rihapjes.