Një ndër ngjarjet më të përfolura vitin e kaluar në botën e showbiz-it ka qenë padyshim arrestimi i Loredanës. Reperja e njohur shqiptare u bë pjesë e një skandali ku akuzohej se i kishte vjedhur një çifti zvicerian gati 900 mijë franga sëbashku me të vëllanë.

Por kjo çështje ende nuk është mbyllur, pasi reperja tanimë akuzohet për mashtrim. Loredana do të dalë sërish në gjyq në muajin qershor për t’u përballur me akuzat e ngritura nga çifti zviceran, të cilat ajo i ka mohuar duke pretenduar se asgjë nuk është e vërtetë. Ka qenë gruaja zviceriane Petra Z. që ka thënë në një intervistë për “20 minuten.ch” se hetimi po vazhdon dhe ajo nuk ka më frikë nga reperja. “Tani nuk kam më frikë. Më në fund është dikush, avokati ynë, që do kujdeset për gjithçka. Hetimi po vazhdon. Kjo na jep shpresë se mund t’i marrim paratë”, u shpreh ajo.

Më tej Petra Z. ka shtuar se Loredana i ka ofruar para çiftit në mënyrë që të mbyllej çësthja, por ata nuk i kanë pranuar. “Në mbrëmjen e arrestimit, ish-avokati i saj më ofroi 200,000 CHF dhe më pas 350,000 CHF. Por nuk pranova. Loredana më ka borxh të paktën dyfish më shumë. Ne e dimë që është situatë e komplikuar. Por pa një vendim gjykate nuk marrim dot paratë. Ne duhet të vazhdojmë të jetojmë”, deklaroi Petra Z. Gruaja zviceriane i ka bërë edhe një thirrje të drejtpërdrejtë Loredanës: “Gjithmonë thonit: Betohem në Zot, për vajzën dhe familjen time se po them të vërtetën. Loredana, të lutem trego të vërtetën tani!”- tha ajo.

Loredana vitin e kaluar u arrestua dhe u mor në pyetje, por më pas u la e lirë. Ndërkohë reperja nuk është ndalur me projektet e saj muzikore. Vetëm para pak ditësh ka lançuar këngën e saj më të re në bashkëpunim me Capital Bra. Vlen të përmendim se kjo këngë është përfolur shumë se është një dedikm për ish-partnerin e saj Mozzik.