Përveç kritikave se Aleanca ka humbur të gjitha funksionet, Ankaraja nxjerr në pah edhe kontradiktat, mospërputhjet dhe mangësitë e Aleancës.
Një nga arsyet e pushtimit rus të Ukrainës, dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, ishin përpjekjet e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut. Përpjekja erdhi jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga NATO, dhe qëllimi i saj ishte të kalonte nga mbrojtja e Ukrainës në krijimin e një lëvizjeje potenciale kundër Rusisë që do ta rrethonte atë vend.

Së paku, kështu e shikonte Rusia këtë proces. Në fakt, qëndrimi i Rusisë nuk mund të konsiderohet krejtësisht i gabuar, pasi atë qëndrim nuk e fshihnin as Shtetet e Bashkuara dhe kjo nuk ishte diçka e fshehur në diskursin ekspansionist të NATO-s. Nga ana tjetër, Rusia ka thënë hapur që në fillim se prania e bazës së NATO-s në Ukrainë do të konsiderohej kërcënim dhe agresion ndaj saj.

Sigurisht, kjo ishte e pritshme. Detyra e NATO-s ishte të ndërmerrte hapa për t’u përgatitur për një sulm të tillë, që në thelb pritej nga Rusia. Megjithatë, për ata që vëzhgonin nga jashtë, parashikimet nuk sugjeronin që Ukraina, në një farë mënyre, do të lihej të përballej me veten kundër agresionit të mundshëm rus pas gjithë këtyre hapave të ndërmarrë nga NATO.