Mediat dhe gazetarët në Maqedoni kohëve të fundit u ballafaquan me probleme nga më të ndryshme, duke filluar nga presioni politik, përndjekja e vazhdueshme, pengesa për të raportuar drejtë e deri te mbyllja e disa mediave si dhe dhuna ndaj gazetarëve.

Këtë gjë e konfirmon edhe Qendra hulumtuese e Parlamentit Evropian e cila muajin që lamë pas vlerësoi se Maqedonia gjendet në vendin e fundit në Ballkanin Perëndimor për respektimin e lirinë e medias.

Lideri i LSDM-së, kryeministri Zoran Zaev para se të hynte në qeveri premtoi se partia e tij do të garantojë media të lira, gazetari të lirë hulumtuese si dhe zhvendosje të ndikimeve qeveritare në politikën redaktuese.

Zaev në një takim pune theksoi rëndësinë e lirisë së mediave të cilat raportonin në mënyrë jo të drejtë për ngjarjet politike në Maqedoni gjatë krizës politike.

Gazetari dhe publicisti Xhelal Neziri thotë për Portalb.mk se Maqedonia është i vetmi shtet në Evropë që bën pjesë në grupin e vendeve jo të lira, gjë që është më shumë se alarmante.

“Nëse qeveria e re u përmbahet zotimeve për reforma në sferën e mediave, gjithsesi se do të ketë përmirësim të gjendjes aktuale. Maqedonia është i vetmi shtet në Evropë që bën pjesë në grupin e vendeve jo të lira, gjë që është më shumë se alarmante. Nevojitet reformim rrënjësor i trupave rregullatorë mediatik, servisit publik radio-televiziv, ndaljen e reklamave qeveritare dhe komunale dhe mosndërhyrje në planet reklamuese të kompanive private. Këto hapa do të krijojë një bazë të mirë për lirinë e medias dhe për një treg të lirë, ku kualiteti dhe vlerat do të jenë përcaktuese për të hyrat e një medie”, tha për Portalb Neziri.

Dukuri tjetër e cila ndoqi mediat gjatë kësaj periudhe të krizës politike ishte edhe mbyllja e tyre, ku me rastin e ditës botërore të lirive të mediave, në Maqedoni ndodhi e kundërta, disa mediave si “Utrinski Vesnik” dhe “Vest” iu vu çelsi, kurse gazetarët ngelen pa punë.

Filip Stojanovski nga Metamorfozis thekson për Portalb.mk se në Maqedoni duhet të bëhen ndryshime kyçe në marrëdhëniet e institucioneve shtetërore kundrejt mediave dhe organizatave joqeveritare.

“Sipas informacioneve të deri tanishme presim që të bëhen ndryshime kyçe në marrëdhëniet e institucioneve shtetërore kundrejt mediave dhe organizatave joqeveritare, të cilët janë pronarë të një pjese të tyre. Edhe pse shpresojmë që ndryshimet do të ndodhin shpejtë dhe në pajtueshmëri me aspiratat për rritje të nivelit të demokracisë, prapë jemi të vetëdijshëm se edhe pas vullnetit politik, janë të mundura dira pengesa nga ana e te punësuarve në institucione të cilët BE i kategorizoi se ‘të robëruar’ nga ana e kryesisë së partisë e cila ishte në pushtet deri më tani. Duke pasur parasysh që një pjesë e mediave janë jo fitimprurëse dhe në pronësi të OJQ-ve, në përmirësimin e gjendjes dhe rejtingut ndërkombëtar gjithashtu do të ndikoj edhe ndërprerja e përndjekjes politike kundër organizatave, fondacioneve si dhe zbulimi i qendrave të pushtetit që kanë porositur”, tha për Portalb, Stojanovski.

Ai shtoi se gjithashtu faktor në kthimin e lirisë së mediave është edhe zhvillimi ekonomik, sigurimi i tregut të lirë.

“Grupi i dytë i faktorëve që do të ndikojnë në kthimin e lirisë së mediave është i lidhur po ashtu me zhvillimin e ekonomisë, gjegjësisht sigurimi i tregut të lirë, pa presione politike ndaj sektorit privat. Gjatë periudhës së deritanishme janë dokumentuar ndikime në formë të shantazheve dhe frikës ndaj reklamuesve të cilët ishin të detyruar të anashkalojnë mediat që nuk janë të dëshirueshme nga qeveria.
Përdorimi i këtyre keqpërdorimeve do të ndikojnë në stimulin e pluralizmit dhe konkurrencës në media. E patjetërsueshme është që të vazhdojnë të rrisin shkrimin mediatik të qytetarëve, sidomos te atyre grupeve që ishin pjesë kryesore e propagandës. Vetëm kur të jenë të edukuar dhe të vetëdijshëm për të drejtat e tyre, ata mund të kyçen në luftën për media me kualitative, në të cilat ata kanë të drejtë si qytetarë të një shteti të lirë”, shtoi Stojanovski.

Ndërkaq Organizata ndërkombëtare “Raportuesit pa kufij” (Reporters Without Borders) publikoi raportin e lirisë së mediave në botë, ku në krahasim me vitin 2016 Maqedonia gjendet 7 vende më lartë, por sërish është më keq në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit, njofton Portalb.mk.

Sipas rang listës së indeksit së lirisë së mediave Maqedonia në vitin 2016 ishte në vendin e 118 me indeks prej 36.09 kurse në vitin 2017 ajo gjendet në vendin e 111 me indeks prej 35.74.

Më tej në raport u tha se sundimi i ligjit në Maqedoni, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka pësuar erozion. Shpifja në media u hoq nga kodi penal që nga viti 2012 por ajo u zëvendësua me gjoba të rënda dhe burgosje ndaj gazetarëve dhe pronarëve të mediave.

Raportuesit pa kufij gjithashtu më herët reaguan për sulmet që u bënë ndaj gazetarëve në protestën e “Maqedoni të përbashkët”. Nga kjo organizatë për Maqedoninë thonë se ka pasur shumë raporte për kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve edhe gjatë protestave të 2016 por se përgjegjësit e tyre shume pak u dënuan.