Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, lidhur me ngjarjet aktuale në vend u dërgoi letër anëtarëve të Këshillit të Evropës, kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, sekretarit të përgjithshëm të NATO­s, Jens Stoltenberg dhe dy partnerëve strategjikë të Republikës së Maqedonisë, presidentit të Shteteve të Bashkuara Amerikane, Donald Tramp dhe presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kumtoi kabineti i presidentit të Maqedonisë.

Në vazhdim është letra e plotë e presidentit Ivanov drejtuar ndërkombëtarëve:

“Në prag të takimit të Këshillit të Evropës, më lejoni të Ju njoftoj me gjendjen aktuale dhe me tërë atë që po ndodhë në Republikën e Maqedonisë. Republika e Maqedonisë tashmë dy vite e gjysmë po kalon nëpër një krizë të thellë politike. Me rolin lehtësues të BE-­së dhe të SHBA­-së u arrit Marrëveshja e Përzhinës, në thelb të së cilës ishte organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në kushte të drejta dhe demokratike dhe formimi i Qeverisë së RM­-së që sa më parë do të fokusohet në prioritetet urgjente reformuese. Më 11 dhjetor të vitit 2016 u mbajtën zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike, të cilat u përshëndetën nga të gjitha palët. Por, në vend të daljes nga kriza dhe fokusimit në prioritetet urgjente reformuese, ne sërish u gjendëm në krizë të thellë politike. Njëherit, pas zgjedhjeve, tre nga partitë parlamentare të shqiptarëve në RM, me 18 nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend, nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrit të tij të Punëve të Jashtme në Tiranë krijuan platformë për shqiptarët në RM. Platforma e Tiranës u bë parakusht për formimin e Qeverisë në RM. Platforma është dokument pas zgjedhor i miratuar në shtet tjetër në kabinet të burrështetasit të huaj dhe me ndërmjetësim të kryeministrit të një shteti të huaj. Me këtë platformë kanoset sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e çuar RM në pozitë e të nënshtruarit ndaj një shteti tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshime në Kushtetutën e RM-­së me të cilat do të kërcënohej karakteri unitar i shtetit. Platforma e rrezikon Marrëveshjen e Ohrit, e cila i rregullon marrëdhëniet e bashkësive etnike me shtetin Republika e Maqedonisë dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Përveç se në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, platforma është diskriminuese edhe ndaj bashkësive të tjera etnike, sepse për të prioritete është vetëm një bashkësi. Kjo platformë nga Tirana plotësisht e destabilizon gjendjen e brendshme politike dhe i rritë tensionet ndëretnike në RM. Me mënyrën në të cilën është miratuar dhe me deklaratat e përfaqësuesve zyrtar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, negativisht reflektohen në marrëdhëniet ndëretnike dhe bëhet destabilizim i rajonit të Ballkanit Perëndimor. kjo Platformë, neve na solli në stagnim nga i cili është vështirë të dilet sepse ka karakter ultimativ dhe kërcënues”, qëndron në letër. “Në pajtim me nenin 84, alinea 1 të Kushtetutës së RM-­së, më 1 mars 2017 solla vendim të mos ndaj mandat për përbërje të Qeverisë së RM-­së, secilit që do të negociojë për platforma të shteteve të tjera me të cilat shantazhohet populli maqedonas, rrezikohet uniteti i vendit, sovraniteti dhe pavarësia e tij. Si president i RM­-së, detyrë e imja kushtetuese është t’i respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe t’i mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e RM­-së. Për të gjitha këto gjëra personalisht i informova komisarin z. Han dhe përfaqësuesen e lartë, znj. Mogerini. Prej tyre kërkova qartë dhe publikisht ta dënojnë dhe ta hedhin poshtë platformën si akt të përzierjes në punët e brendshme të një shteti sovran.

Përveç letrës, presidenti Ivanov ndërkombëtarëve u ka dorëzuar kopje nga platforma, si dhe deklarata të përfaqësuesve zyrtar dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

“Si president i Republikës së Maqedonisë, vend kohë të gjatë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, presim të angazhoheni dhe të na ndihmoni sepse ardhmëria dhe perspektiva e bashkëqytetarëve të mi janë para se gjithash sfidë tejet serioze”, thotë në letër presidenti i Maqedonisë.