CIA beson se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane me qëllimin për të ndihmuar Donald Tramp, e jo të krijojnë destabilitet në SHBA.

Lajmi i vjen nga prestigjiozet amerikane “The New York Times” dhe “Washington Post”, të cilat citojnë burime konfidenciale nga inteligjenca amerikane.

CIA ka identifikuar persona të lidhur me Kremlinin që kanë furnizuar Uikiliksin me mijëra e emaile të hakeruar, në dëm të Partisë Demokratike Amerikane dhe kandidates së saj Hilari Klinton.

Zyrtarë të lartë të administratës thanë për “New York Times” se Moska ka ndërhyrë edhe në serverin e republikanëve, por nuk ka shpërndarë asnjë email.

Por stafi i fushatës së presidentit të zgjedhur Tramp ka hedhur poshtë opinionin e shërbimeve sekrete amerikane, duke thënë se këta janë të njëjtët njerëz që pretendonin se Sadam Husein kishte armë të shkatërrimit në masë dhe për rrjedhojë nisën luftën me Irakun.

Moska nga ana e saj i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje në presidencialet amerikane, duke e quajtur këtë propagandë.

Këto zhvillime vijën një ditë pasi presidenti Barak Obama urdhëroi nisjen e hetimeve rreth një sërë sulmesh të mundshme kibernetike në zgjedhje, që mbajnë firmën e Rusisë. Shtëpia e Bardhë njoftoi se një raport i plotë do të publikohet përpara se Obama të lërë zyrtarisht detyrën, më 20 janar.