Agjencia e zbulimit, CIA shprehu hapur shqetësimet për publikimin e dokumenteve nga organizata WikiLeaks, duke paralajmëruar se të gjithë amerikanët duhet të jenë “thellësisht të shqetësuar” për pasojat e mundshme.

Një zëdhënës i CIA-s nuk pranoi të komentonte dje lidhur me vërtetësinë e 8 mijë e 771 dokumentave, por argumentoi se nuk ka dyshim për synimin e WikiLeaks “për të dëmtuar aftësinë e agjencive të zbulimit për të mbrojtur Amerikën nga terroristët dhe armiq të tjerë”.

Në konferencën e përditshme për shtyp dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se gjithkush duhet të jetë i shqetësuar për këtë shkelje:

“Dalja e këtyre dokumenteve duhet t’i shqetësojë shumë njerëzit dhe ideja që ka kaq shumë rrjedhje informacioni për sigurinë kombëtare dhe secret, duhet të indinjojë gjithkënd. Këto rrjedhje minojnë vendin tonë, sigurinë dhe mirëqenien tonë”.

Ashtu si CIA, zoti Spicer refuzoi të konfirmonte vërtetësinë e dokumentave të WikiLeaks. Por disa ekspertë të sigurisë kibernetike dhe ish-zyrtarë të zbulimit që I kanë analizyar ato, i thanë Zërit të Amerikës se duket që ato të jenë të vërteta.

Profesori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Jonathan Aronson i Universitit të Kalifornisë së Jugut thotë se dokumentat thjesht tregojnë se CIA ka bërë punën e vet:

“Mendoj se CIA thjesht ka bërë punën e vet. Qeveria amerikane i jep CIA-s miliarda dollarë në vit dhe pjesë e punës së tyre është përgjimi, jo i amerikanëve por i gjithë të tjerëve. Prandaj mendoj se është fare e arsyeshme që të kenë këto lloj instrumentash, përsa kohë që ato të përdoren në përputhje me ligjin, jo kundër qytetarëve amerikanë, prandaj pse duhet të befasohemi?”

WikiLeaks tha se i kishte siguruar dokumentat nga një ish-haker që punonte për qeverinë amerikane. Dhe një zyrtar i zbulimit amerikan i tha Zërit të Amerikës, pa dashur të identifikohej, se duket që burimi të ketë qenë një kontraktor i CIA-s.

Por më shqetësuese për zyrtarë aktualë dhe të kaluar amerikanë dhe perëndimorë, është mundësia e përfshirjes ruse.

Një raport i agjencive të zbulimit në janar, arrinte një përfundim “shumë bindës” se zbulimi rus kishte një marrëdhënie të vazhdueshme me WikiLeaks.