Coronavirusi po mbizotëron ende me shtrirjen e tij, që kur OBSH-ja e shpalli atë pandemi globale rreth pesë muaj më parë.

Sipas medieve të huaja, më shumë se 19 milionë raste janë konfirmuar në 188 vende të botës, ndërsa rreth 700 mijë njerëz kanë ndërruar jetë.
Rastet e virusit vdekjeprurës po vazhdojnë të shënojnë rritje, madje edhe në disa vende ku e mposhtën me sukses sfidën e parë të shpërthimit.

Në cilat vende ka rritje të rasteve dhe të viktimave?

Amerika Latine është epiqendra e re e pandemisë, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Brazili është vendi i dytë në botë më i goditur nga coronavirusi, pasi numri i viktimave u rrit në 100 mijë të shtunën. Meksika në anën tjetër ka regjistruar më shumë se 50 mijë të vdekur nga sëmundja.

Rastet po rriten gjithashtu me shpejtësi edhe në Kolumbi, Peru, Argjentinë dhe Bolivi.
Në mesin e vendeve që e pësuan keq nga pandemia është edhe Irani. Informacioni i zbuluar nga  BBC, tregon se numri i viktimave në Iran deri më 20 korrik ishte 42 mijë, rreth tre herë më shumë se totali i shifrës së publikuar zyrtarisht nga qeveria e vendit.

.


Ndërkohë, më shumë se një milion raste u konfirmuan në Afrikë, megjithëse ende nuk është e saktë “shtrirja e vërtetë” e pandemisë në të gjithë kontinentin. Normat e testimit raportohen të jenë të ulëta dhe ky fakt mund të shtrembërojë vlerësimet zyrtare.

Afrika e Jugut dhe Egjipti janë dy vendet më të prekura të kontinentit. Vetëm e para ka regjistruar deri më tani më shumë se 500 mijë raste.

India është vendi i parë në botë për sa i përket rritjeve ditore
India ka raportuar për më shumë se një javë nga 50 mijë raste të reja në ditë, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve u rrit në 2 milionë.

Vendi i dytë në botë për sa i përket popullsisë, radhitet i pesti në glob për sa i përket numrit të viktimave nga coronavirusi. India po vazhdon të lehtësojë kufizimet publike pavarësisht rritjes së rasteve.

Coronavirusi po shënon rritje përsëri edhe në Evropë

Disa vende në Evropë raportuan kohëve të fundit rritje të rasteve nga sëmundja e COVID-19.

Shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosen në karantinë për dy javë nëse vizitojnë vendet si Spanja; Belgjika ose edhe Luksemburgu.

Ndërkohë, Franca është një tjetër vend evropian që po përballet me rritje të infeksioneve.


Një numër vendesh në Evropë implementuan masa bllokimi në zonat e tyre, disa prej tyre urdhëruan vendosjen e maskave si dhe zbatimin e rregullave të distancimit shoqëror.

Spanja siç duket e ka pësuar më rëndë nga pandemia, megjithëse shumica e rasteve të reja janë përqendruar në veri-lindje të vendit, shkruan BBC

Vendet e tjera jashtë këtij kontinenti që gjithashtu dukej se e kishin kontrolluar shpërthimin fillestar, sikurse Izraeli, Australia dhe Japonia, tani po përballen përsëri me rritje të rasteve.

Shteti i Victorias në Australi po përballet me rritje të dukshme të të prekurve, ndërsa vetëm ditë më parë vendi implementoi masa të rrepta kufizuese.
SHBA po përballet ende me rritje të rasteve
SHBA-ja është vendi më i goditur në botë nga coronavirusi me pesë milionë raste të regjistruara deri më tani.
Numri i viktimave në vend ka shkuar në 160 mijë – më shumë se një e pesta e viktimave nga virusi në të gjithë botën, raporton BBC.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pati paralajmëruar se situata e pandemisë në vend mund të përkeqësohet para se të vihet në stabilitet.

Universiteti i Washington-it pohon se numri i viktimave mund të rritet deri në 295 mijë deri në fillim të muajit dhjetor, mirëpo kjo mund të reduktohet në rreth 230 mijë nëse 95 për qind e amerikanëve i vendosin maskat në publik.


Sa raste janë konfirmuar deri më tani?
Deri më tani janë konfirmuar globalisht më shumë se 19 milionë të infektuar dhe rreth 700 mijë viktima.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pati deklaruar se pandemia e coronavirusit është urgjenca më e rëndë globale që ka parë ndonjëherë organizata.