“Nëse nuk kemi sukses me shumë gjasë nuk do të kemi ardhmëri evropiane. Atëherë do të duhet Evropën ta sjellim në Shkup. Nuk shoh diçka tjetër se si. Nëse nuk ka zgjidhje, çështja do të mbetet e hapur dhe do të provojmë pas tre muajve, apo gjashtë muajve dhe sërish ta kërkojmë zgjidhjen”, kështu është shprehur në një intervistë për televizionin bullgar BTV, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.

Duke folur për emrin e mundshëm të Maqedonisë, kryeministri Zaev ka deklaruar se Maqedonia aktuale është fakt se është vetëm një pjesë e asaj që ka qenë në histori.

“Nëse shohim në pikëpamje historike se ku ka qenë Maqedonia historike e vjetër, ka pasur një pjesë, shohim se ka pasur një pjesë në Bullgari, një pjesë në Greqi, dhe është fakt se ne jemi vetëm një pjesë, pjesa veriore. Si të themi kur te ne është Vardari, te ju është pjesa e Pirinit, Egjeut. Kjo është fakt”, ka thënë Zaev.

Ai gjithashtu ka thënë se në tërë procesin e çështjes së emrit Maqedoni – Greqi “me rëndësi është që në shtëpi të mos jemi të pafytyrë, të pandershëm”.

“Kur hyrët ju në këtë objekt keni parë se lartë shkruan Qeveria e Maqedonisë, të mos detyrohemi atë ta ndryshojmë”, ka thënë Zaev.
Ndërkohë, që ndërmjetësi për çështjen e emrit Metju Nimic pas përfundimit të takimit me shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias në Vjenë, theksoi se kanë pasur një diskutim shumë intensiv ku të dyja palët kanë pasur respekt të ndërsjellë.