Bojkoti i punës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk shihet si një faktor përkeqësues i situatës politike në Maqedoni e as si bllokim i radhës së kësaj partie për formim të Qeverisë, madje siç vlerësuan për Portalb njohësit e çështjeve politike Sefer Tahiri dhe Albert Musliu, ajo nënkupton vetëvrasje politike dhe pranim i disfatës së VMRO-DPMNE-së.
“Nuk besoj se VMRO-DPMNE-ja do ta bojkoton punën e Kuvendit ngaqë ajo do të nënkuptonte pranim i disfatës politike. Mundësia e bojkotit të Parlamentit do të nënkuptonte vetëvrasje politike për të njëjtën. Ajo do të vazhdojë të jetë opozitë, por opozitë agresive edhe pse jo konstruktive”, tha Tahiri.
Nga ana tjetër Albert Musliu thotë se mundësia e bojkotit nga deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk është hera e parë, por kjo nuk do të thotë se këtë do ta praktikojnë edhe tash, ngaqë siç shprehet ai, “bojkoti paraqet masë më paqësore për bllokim të formimit të Qeverisë së re”.
“Ne nga VMRO-DPMNE-ja mund të presim çdo veprim. Masa paqësore siç është bojkoti i Kuvendit nuk do të përdoret nga ata ngaqë ata tashmë e dinë se ka shumicë parlamentare dhe se ajo është legjitime”, tha Musliu.
Ai shton se “që në momentin kur ajo do të pranojë se është opozitë atëherë për të do të gjenerohen reforma të brendshme nga persona të cilët nuk do t’i shërbejnë më interesave personale të disa pjesëtarëve të VMRO-DPMNE-së”.
Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, nuk ishin të kapshën nga Portalb, për të sqaruar nëse bojkoti është njëra nga opsionet si masë për bllokadë eventuale të ardhshme.
Edhe pse partia e Nikolla Gruevskit, nuk e pranon si legjitim kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferin, ky i fundit ka tashmë dhjetë ditë që është shpallur kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, e cila pasoi me depërtim e dhunshëm të protestuesve “Për Maqedoni të përbashkët” në institucionin ligjvënës, ku si pasoj e saj u rrahën shumë deputetë e gazetarë, por edhe institucioni në fjalë të pësojnë dëme.
Xhaferi me të marrë zyrtarisht postin e kryetarit të Kuvendit e njoftoi kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov se ka shumicë parlamentare, me çka ky i fundit në afat prej dhjetë ditësh duhet t’ia jep mandatin kreut të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev për formim të Qeverisë.
Por bashkëpartiaku i Nikolla Gruevski, Ivanov deri më sot nuk ka ndonjë përgjigje ndaj njoftimit të Xhaferit. Gazeta Zyrtare publikoi mbrëmë vendimin se Talat Xhaferi është kryetari i ri i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.