Pavarësisht rënies së çmimit të karburanteve, çmimet e biletave të autobusëve nga njëri në qytetin tjetër nuk po pësojnë rënie. Qytetarët e anketuar nga Alsat të cilët udhëtonin nga Shkupi për Kumanovë, Tetovë, Strumicë e Prilep thonë se çmimet janë të pa përballueshme, në veçanti për ata të cilët udhëtojnë çdo ditë.

“ Udhëtoj çdo ditë nga Kumanova për në Shkup. Më përpara udhëtoja me tren, tani treni nuk funksionon dhe udhëtoj me autobusë, dyfish më shtrenjtë është. Unë në bazë mujore harxhoj rreth 7000 denarë vetëm për autobusë. Çmimi i naftës ka rënë ndërsa çmimi I biletës ka mbetur i njëjtë 170 denarë për Kumanovë. Çmimi i naftës ra, ndërsa çmimi I biletave jo”, tha një udhëtar.
“ Rrallë udhëtoj, megjithatë biletat janë shtrenjtë. Prilep – Shkup 870 denarë është bileta. Me të vërtetë është kthyese por mendoj se është shumë, me të vërtetë tepër. Mendoj se duhet të ketë ulje të çmimit me të vërtetë udhëtimi është shtrenjtë. Jemi pensionistë të dy, dhe kur e ke patjetër të vish, 1800 denarë më të vërtetë janë shumë për ne”, tha një udhëtare.

“Për në Strumicë udhëtoj. Njëri drejtim është 630 denarë. Shtrenjtë është. Gjithçka është shtrenjtuar jo vetëm biletat, më përpara ishin më lirë biletat 600-700 më përpara ishin kthyese biletat ndërsa tani ky çmim është vetëm për një drejtim”, shtoi një udhëtare tjetër.

Drejtori i stacionit kryesor të autobusëve në Shkup Masar Omeragiq, thotë se për momentin nuk mendojnë në uljen e çmimeve, derisa çmimet e karburanteve nuk janë të qëndrueshme.

“Jemi duke bërë analiza, për momentin nuk kemi marrë vendim për ulje çmimi, pas përfundimit të analizave do ndërmarrim masa të cilat janë në interes të udhëtarëve dhe në interesin tonë. Momentalisht në formimin e çmimit ndikojnë shumë faktorë siç janë pjesët rezervë, gomat, rritja e pagave të punonjësve, rryma, vaji, dhe shumëçka tjetër. Ligji për marrëdhënie pune ku të dielave dhe festave është rritur paga minimale, të gjitha këto kur do i vendosni në peshore ndikojnë në çmim. Ne të dielave dhe festave shtetërore punojmë me minimum 45 të punësuar”, u shpreh Masar Omeragic, Drejtor i stacionit të autobusëve.

Biletat e autobusëve ndër-qytete kanë pësuar rritje thuajse dyfish. Relacionet më të frekuentuara nga qytetarët janë Kumanovë- Shkup dhe anasjelltas si dhe Tetovë – Shkup dhe anasjelltas. Bileta Tetovë – Shkup është 200 denarë një drejtim, Kumanovë – Shkup 170 denarë një drejtim. Shkup- Manastir 630 – 730 një drejtim dhe Shkup – Ohër 850 denarë një drejtim./Alsat.mk