Çfarë mesazhesh mund të presin qytetarët e vendit dhe politikanët në fjalimin e Vitit të Ri të presidentit maqedonas Gjorge Ivanov? Duke e analizuar retorikën e tij, por edhe vendimin kundërthënës për faljen e politikanëve nën hetime, një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se fjalimi do të përmbajë fraza të njohura tashmë pa ndonjë zgjidhje për problemet reale, raporton Alsat-M.

“Pushteti ekzekutiv, ai legjislativ, gjyqësor dhe i ashtuquajturi pushteti mediatik, të gjitha këto kategori janë të rrezikuara dhe janë nën kontrollin e partive në pushtet apo personave nga partitë në pushtet. Këtë nuk do ta dëgjojmë. Nuk do të dëgjojmë asnjë fjalë nga presidenti i shtetit për mbështetjen e Prokurorisë Speciale, gjegjësisht për ndukjen e krimit”, tha analisti politik, Eroll Rizaov.

Nga ana tjetër ka edhe analistë që presin nga presidenti që më në fund t’u kushtojë vëmendje problemeve të ndjeshme. Profesori Temelko Risteski, thotë se në fjalimin e tij Ivanov duhet t’i kushtojë mbrojtjes së vlerave kushtetuese dhe dënimit të atyre që i shkelin ato.

“Të mundësohet realizim efikas i të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, ku gjithashtu kemi standard të ulët. Më pas, që është shumë e rëndësishme, të sigurohet paqe dhe bashkëjetesë, drejtësi sociale, mirëqenie ekonomike dhe avancim i punës personale dhe të përbashkët, pasi në këtë drejtim ngecim shumë”, Temelko risteski, Profesor Universitar.

Fjalimet e fundvitit të presidentit deri më tani mbaheshin para deputetëve në Kuvend, por nga kabineti i Ivanovit theksuan se nëse Parlamenti nuk konstituohet brenda vitin 2016, presidenti do t’i drejtohet opinionit në formë tjetër./Alsat-M/