Dy shkolla në Prishtinë janë mbyllur si pasojë e rasteve aktive me COVID-19 të regjistruara së fundmi. Ndërsa shkolla “Hasan Prishtina” ka mbyllur vetëm një klasë. Raste aktive të mësimdhënësve janë raportuar edhe nëpër komunat e tjera si Peja, Fushë Kosova e Suhareka.

Shkollat “Faik Konica” dhe “Nexhmi Mustafa” janë mbyllur ndërsa në shkollën “Hasan Prishtina” është mbyllur një klasë si pasojë e infektimeve me COVID-19. Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala tha se shqetësuese është mos mundësia e punësimit të mësimdhënësve shtesë.

“Tani janë mbyllur dy shkolla SHFMU “Faik Konica”, ku janë katër mësimdhënës pozitiv me Covid-19, “Nexhmi Mustafa” dy paralele të ndara ne fshatin Lebane dhe Rimanishte, tre mësimdhënës dhe një punëtor teknik. Ne SHFMU “Hasan Prishtina” është mbyllur një klasë, sepse ka rezultuar një nxënëse pozitive. Shqetësuese është mos mundësia e punësimit të mësimdhënësve shtesë pasi që ligjërisht nuk ka kurrfarë mënyre dhe ende deri me tash nuk kemi ndonjë vendim nga qeveria që e mundëson ketë”, thuhet në përgjigjen e DKA në Prishtinë.

Raste aktive të mësimdhënësve dhe stafit teknik ka edhe në shkollën “8 marsi” në komunën e Pejës, përcjell Telegrafi.

“Disa nga mësimdhënësit kanë dalë pozitiv në COVID-19. Nesër kthehen në punë dy mësimdhënës pas kalimit të periudhës dy javore. Raste aktive janë dy pastrues, sekretarja e shkollës dhe tre mësimdhënëse që kanë rezultuar pozitive në COVID-19, or janë pas simptoma”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Besim Avdimetaj.

Ndërsa njohësi i arsimit, Rinor Qehaja tha se kalimi i mësimit nga skenari në skenar nuk ndikon pozitivisht tek nxënësit .

“Praktika nga vende tjera tregojnë se mësimi online nuk zëvendëson prezencën fizike në shkolla e aq më shumë në një situatë si vendi jonë, ku nxënësit kanë shumë pak interesim për mësimin online”, deklaroi Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard.

Po ashtu ditë më parë janë raportuar 4 mësimdhënës të infektuar në Fushë Kosovë dhe 3 në komunën e Suharekë./RTV Dukagjini