Pas më shumë se dy muajsh e gjysmë mbyllje, autoritetet në shtetin e Nevadës autorizuan hapjen e kazinove dhe pamjet ishin të pabesueshme. Mijëra persona mbushën menjëherë sallat për të provuar fatin e tyre që ishte “mbyllur” nga pandemia.

Kazinotë e famshme të Las Vegasit u mbyllën me mesin e muajit mars, kur guvernatori Steve Sisolak vendosi të merrte masa ekstreme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Tashmë të gjithë adhuruesit e lojërave të fatit mund të kthehen në këto salla të cilat kanë ndërmarrë protokolle shumë të forta sigurie që përfshijnë matjen e temperaturës për të gjithë lojtarët.

Në përgjithësi maskat janë të detyrueshme për punonjësit e kazinosë dhe krupierët, por jo për klientët.

Disa nga kazinotë më të mëdha në Las Vegas si MGM Resorts dhe Ceasars kanë vendosur të presin dhe disa ditë përpara se të hapen. Momentalisht në sallat e hapura mund të luajnë rezidentët e shtetit dhe lojtarët që ndodhen në shtetet pranë që mund të shkojnë aty me makinë.