Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se informacionet “se diaspora shqiptare po përgatitet”, siç tha “për marrjen e përfaqësive diplomatike-konsullore serbe, me qëllim të detyrimit të Serbisë që të heq dorë nga ndjekja e Ramush Haradinajt, Serbia i ka marrë nga agjencitë perëndimore të sigurisë”, shkruan Rel, përcjell fol.mk

“Kjo informatë ka ardhur nga një shtet i madh dhe një bashkësi e madhe e sigurisë, me emra dhe mbiemra të njerëzve, me vendin për të cilin është folur si shtetin e mundshëm ku objektiv ndoshta do të mund të ishte ambasada ose konusllata jonë”, tha Daçiq.

Daçiq përsëriti se Serbia nuk “do të heqë dorë nga ndjekja e Haradinajt”, ndërkohë që në përgjigjen se “Haradinaj njëherë është ndaluar dhe liruar në Lubljanë”, Daçiq tha për RTS-në se “Serbia nuk mund të ndikojë në këto vende që të bëjnë atë që ajo mendon se duhet ta bëjnë”.

“Një nga opsionet që është shqyrtuar është që Serbia të detyrohet të heq dorë nga ndjekja përmes marrjes së një prej përfaqësive diplomatiko-konsullore ose objektit që i takon Serbisë dhe marrjes së pengjeve. Sakt dihet se kush i ka paraqitur këto sugjerime, me emër dhe mbiemër, ku jeton”, tha Daçiq.

Bëhet fjalë për shtetet që kanë një diasporë më të madhe shqiptare, tha ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë.