Serbia pretendon se shërbimet e inteligjencës së Maqedonisë kanë përgjuar diplomatët e saj por edhe vet shefin e diplomacisë Ivica Daçiç. E përditshmja serbe Blic shkruan se në misionin e përgjimit janë përfshirë edhe fuqitë e jashtme. Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç ka thënë se personalisht atij nuk i pengon përgjimi, pasi atë çka e flet në telefon e thotë edhe publikisht. Ai madje konfirmoi se edhe më parë ka pasur veprime të inteligjencës, por se kohën e fundit ka pasur urdhra që këto veprime të forcohen. Daçiqi u ka thënë mediave se Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë kundër Maqedonisë, madje as në periudhat kur në këtë të fundit kishte protesta çdo ditë. Ai ka thënë se vendimi i Serbisë për tërheqjen e personelit nga ambasada është mesazh për t’i treguar Shkupit se dimë gjithçka që ata janë marrë vesh, gjë e cila thotë se nuk u bëhet miqve. Daçiç sot edhe një herë kërcënoi me mos njohjen e emrit kushtetues të Maqedonisë, nëse vendi mbështetë anëtarësimin e Kosovës në UNESKO.

Unë mund të ju them se ne dimë gjithçka, ne dimë se çfarë vendimi kanë marrë ata, çfarë punojnë e çfarë do të punojnë. Ata duhet të kuptojnë se ne dimë gjithçka. Serbia dëshiron ta qetësojë situatën e re të krijuar me Maqedoninë, e cila nuk bazohet në supozime, por në fakte të vërtetuara pa hamendje të cilat flasin për ofenzivë të forcuar të kundër Serbisë- tha Ivica Daçiq, Ministër i Jashtëm i Serbisë.
Për të diskutuar për zhvillimet e fundit mes dy vendeve presidenti serb Vuçiç nesër pritet të realizojë bisedë telefonike me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev ndërsa një bisedë telefonike do të realizojnë edhe dy ministrat e jashtëm Daçiç dhe Dimitrov. Duke komentuar situatën e krijuar, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se është akoma herët për të folur për çështjen e UNESCO-s.

Jemi në kontakt me Republikën e Kosovës. Ata na informuan se nuk kanë aplikuar për UNESCO. Ne do të presim dhe në momentin kur do të kemi kërkesë nga Republika e Kosovës për përkrahje, natyrisht se do të kemi qëndrim- deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Raportet mes dy vendeve u tensionuan dy vjet më parë kur Maqedonia kishte mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, për të vazhduar më pas me përfshirjen e një agjenti serb në protestat e dhunshme në Kuvend më 27 prill. Ndërsa një muaj më parë gjatë një fjalimi në Athinë, shefi i diplomacisë serbe, Daçiç tha se Beogradi bëri gabim që e njohu Maqedoninë me emrin kushtetues.

AlsatM