Zlatko Daliç është pa dyshim një ndër trajnerët më të mirë në qarkullim, ndonëse ai nuk është nga ata persona që ka qejf të qëndrojë në mes të ciklonit mediatik. Gjithsesi, kur vjen momenti, ai di se si ta bëjë zërin e tij të dëgjohet dhe madje me qetësinë që flet, bëhet edhe më i rrezikshëm, siç nënvizoi edhe përpara ndeshjes.

“Brazili i kall datën të gjithëve. Janë skuadra absolutisht më e fortë, por ndoshta ne jemi të vetmit që nuk na frikëson”. Dhe kishte të drejtë, siç tregoi fusha dhe pranoi ai pas ndeshjes:

“Kishim nevojë për një fitore si kjo, por mos më përgëzoni mua, por djemtë e mi fantastikë, të cilët çdo ndeshje e më shumë më bëjnë të kuptojnë se nuk janë njerëz normalë. Ishte një ndeshje madhështore, nga minuta e parë në goditjen e fundit.

Kjo është Kroacia, ajo që eliminoi favoriten kryesore të këtij turneu. Lojën tonë më të mirë e bëmë në momentet që duheshin, saktësinë tonë e shfaqëm atëherë kur duhej, duke konfirmuar se kushdo që na nënvlerëson e pëson.

Prandaj, kini kujdes nga Kroacia. Si gjithmonë, treguam krenari në fushë, besim dhe kurajë. Tani të mendojmë për ndeshjen e radhës, pas një fitoreje që pas 120 minutash apo penalltive është bërë normale për ne.

Jam i sigurt se çdo kroat do të jetë dëfryer, por ju garantoj se mund të bëjmë më shumë.

Bëhemi gati për gjysmëfinalen e dytë radhazi në një Kupë Botë dhe ky fakt më bën mua sot për sot njeriun më të lumtur të planetit tonë”, deklaroi pas kualifikimit magjik 56-vjeçari.